Haradinaj pritet të dëshmojë në rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar është Pal Lekaj


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet që sot të dëshmojë në seancën gjyqësore për rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti.

Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kryesisht mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill” , e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati deklaruar se po ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Haradinaj ka akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.

Zona e veçantë ekonomike amerikane me vendim të qeverisë që në atë kohë drejtohej nga tash ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ishte vendosur të jetë me një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.

Ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj, para disa viteve pati thënë “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”./Reporteri.net/

Baby Boo