Haradinaj: Kufijtë janë vendos në luftë nga UÇK dhe NATO, veç lufta i lëviz


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha se kufijtë e Kosovës nuk do të lëvizin dhe se i beson presidentit Thaçi në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Haradinaj është ndalur të komentojë zhvillimet e fundit në Kosovë, ku zërat për korrigjimin e kufijve i ka quajtur si të gabuam, sipas tij kufijtë janë vendosur në luftë nga UÇK dhe NATO.

“Kufijtë janë vendos me luftë, veç lufta i lëviz, kush kujton se i lëvizë kufijtë gabim e ka. Kufijtë janë vendos nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga Nato, janë kufij luftra, janë dhjetëra mija njerëz në tokë për këta kufij, jo vetëm të këtij brezi, por edhe brezave më të vjetër, nuk luhet me kufij, nuk është imagjinatë e lehtë kjo”, tha Haradinaj.

Kryeministri po ashtu tha se ajo çfarë ka mbet mes Kosovës dhe Serbisë, është që kjo e fundit të bëj një njohje reciproke ndaj Kosovës dhe se ai dhe Qeveria e tij mbështet presidentin Thaçi në dialogun me shtetin serb.

“Ajo që ka mbet mes Kosovës dhe Serbisë ka mbet njohja reciproke, kjo ka mbet nga ky dialog, ne e mbështesim presidentin e vendit në këtë çështje”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka falënderuar NATO për misionin e saj në Kosovë dhe sipas tij është shumë i domosdoshëm të jetë i pranishëm në shtetin e Kosovë, si dhe ka treguar se çfarë ka ndodhur tek liqeni i Ujmanit këto ditë nga ushtarët e KFOR’it.

“Ajo që e keni parë në Gazivodë është një ushtrim që quhet ‘i vrejtshëm’, pra një ushtrim me prezencë fizike, një aktivitet i zakonshëm i sigurisë, nuk duhet të shqetësohemi nga kjo prani e KFOR’it”, tha Haradinaj.

Baby Boo