Haradinaj i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Mos ke frikë, mos u bëj nervoz


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilësoi ish-kryeministrin e Kosovës si njeri të rrezikshëm, pasi Haradinaj paralajmëroi mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Serbinë.

Haradinaj konsideron se “për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë”. Ai i tha Vuçiqit të mos bëhet nervoz sepse “Kosova po e kërkon vetëm atë që i takon”. Ai shtoi se nëse Serbia dëshiron ta shmangë bashkimin kombëtar të Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, atëherë duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Ai tutje sqaroi deklaratën e tij për bashkimin kombëtar, që tha se vjen si rezultat i neglizhencës së Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj. “Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, shkroi Haradinaj.

“Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte një kërcënim për të gjithë”, tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vuçiq tha se për deklaratën e Haradinajt mbi mundësinë e një referendumi për bashkimin të Kosovës me Shqipërinë, Serbia do ta ketë “një përgjigje adekuate”, ndërsa shtoi se “kërcënimet nuk duhet të kthehen me kërcënime”. Ndaj deklaratës së Haradinajt reagoi edhe ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviq. Ai e konsideron deklaratën e kryetarit të AAK-së si një kërcënim serioz dhe paralajmërim të “radikalizimit të situatës në Kosovë pas zgjedhjeve”.

Baby Boo