Haradinaj i ka paraqitur Thaçit qëndrimin për ndryshimit e kufirit! Ja cili është


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka konsideruar të gabueshme diskutimet për territorin e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve, në dialogun Kosovë – Serbi, transmeton REL.

Haradinaj, tha pas mbledhjes së Qeverisë se askush nuk ka të drejtë që të flasë për këto çështje. Ai tha se ‘kur të diskutohet kështu është kthim prapa, është humbje për Kosovën”.

Sipas tij kjo që po ndodh, është retorikë.

“Më herët kemi shpjeguar një retorikë të Beogradit, e cila thotë se duhet marr veriun, ndoshta një kundër-retorikë e Kosovës ka logjikë, që thotë se ne e duam Nishin, Preshevën apo dikë tjetër. Ndërsa qëndrimi i Qeverisë dhe i imi është ky: e synojmë një marrëveshje ligjore obligative mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke Kosovë – Serbi. Kufijtë, territori nuk janë temë e diskutimit. Nuk ka mandat askush i Kosovës që t’i diskutojë këto. Mendoj se ajo që po thotë presidenti është në nivel të retorikës ose kundër-retorikës. Shpresoj që është ashtu, nëse është ndryshe, atëherë kemi problem serioze në Kosovë”, tha Haradinaj.

Duke folur për nismën që mund të marrin partitë politike opozitare për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend për deklarimet e presidentit Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve, Haradinaj tha se do të përkrahë çdo rezolutë që është kundër ndryshimit të kufijve.

“Vota ime është pro, do të thotë për të mos u ndryshuar kufiri edhe territori. Ata do ta kenë votën time sot e nesër, e në çdo kohë”, tha Haradinaj.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se më 4 shtator po synojnë të mbajnë seancë të jashtëzakonshme.

“Sot kemi mbajtur mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, ku kemi diskutuar përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme për nxjerrjen e rezolutës që i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës. Seanca do të mbahet më datë 4 shtator 2018. E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”, ka shkruar Hoti.

Baby Boo