Han: Më pengon shkurtesa IJRM, shpresoj se do t’ju drejtohem me emrin Republika e Maqedonisë Veriore


Për fat të keq, ende duhet ta përdor shkurtesën IRJM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) edhe pse nuk më pëlqen fare. Ju, qytetarët do të vendosni sa a dëshironi në të ardhmen t’ju drejtohem me emrin Republika e Maqedonisë Veriore, kështu tha eurokomisari, Johanes Han në konferencën e sotme për media së bashku me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, transmeton Portalb.mk.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se me 27 shtator do të fillojë procesi i skriningut për fillim të negociatave, ndërsa në qershor të vitit 2019 do të fillojmë me negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Çdo takim me liderët e BE-së në këtë fazë të rrugës tonë është dobi e madhe. Me 27 shtator do ta fillojmë procesin e skriningut për fillim të bisedimeve, ndërsa në qershor të vitit 2019 do të fillojmë me negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tashmë jemi duke bërë shumë reforma, por kjo do të kontribuojë të ecim më shpejtë në atë rrugë. Vizita e sotme e konfirmon mbështetjen e BE-së për Maqedoninë”, tha kryeministri Zoran Zaev në konferencë pas takimit me Han.

Kryeministri Zoran Zaev gjithashtu shtoi se hapin më të rëndësishëm të negociatave me BE-në, do ta bëjnë qytetarët me 30 shtator.