Guvernatori, pushteti kundërshton Ivanovin


Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI kanë filluar koordinim mes tyre mbi zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Popullore. Nuk dihet nëse partnerët e koalicionit do të arrijnë të ndërtojnë qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje. Nga LSDM-ja shprehen se ditëve në vijim do të ndërtojnë qëndrim, derisa BDI nuk lëviz nga qëndrimi se në krye të Bankës Popullore të emërohet Fatmir Besimi, kuadër i kësaj partie. Integristët madje kundërshtojnë ashpër propozimin e presidentit Ivanov që Banka Popullore të udhëhiqet edhe një mandat tjetër nga guvernatori aktual Dimitar Bogov.

“Situatën e ka komplikuar fakti që Ivanov ka propozuar zyrtarisht në Parlament Bogovin dhe kjo ka nxitur proces të koordinimit ndërmjet partive politike por sidoqoftë BDI nuk do të mbështes propozimin e z.Ivanov do të vazhdojmë të bindim me argumente se nuk bëhet fjalë për ndonjë propozim partiak. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë epilogu, BDI nuk do të përkrah propozimin, ndërsa qëndrimin e LSDM-së do ta shohim pas koordinimit”, tha Bujar Osmani, BDI.

LSDM akoma pa qëndrim konkret mbi zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Popullore. Nga kjo parti thonë se ditëve në vijim do të finalizojnë qëndrimin e tyre mbi këtë çështje.

“LSDM do t’i shqyrtojë të gjitha argumentet dhe ditëve në vijim do ta publikojë qëndrimin e saj mbi zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Popullore”, thonë nga LSDM-ja.

Edhe nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, pa qëndrim konkret. Nga kjo parti shprehen se kjo çështje do të jetë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Këshillit Ekzekutiv.

“Ne sot kemi mbledhje të Komitetit Ekzekutiv, me shumë gjasa do të bisedohet për çështjen e guvernatorit. Do të jetë njëra ndër temat dhe kjo, nëse do të kemi qëndrim preciz do ta komunikojmë. Do të sqarohet partia në pres konferencat e radhës, ose sonte pas komitetit, ose gjatë ditëve të ardhshme”, tha Orce Gjorgjievski, VMRO DPMNE.

Në rast se propozimi i presidentit Ivanov nuk votohet në Parlament me shumicë votash, atëherë Bankën Popullore, pas skadimit të mandatit të Guvernatorit aktual që është 21 maji, Bankën Popullore do ta udhëheq Këshilli i saj. Bogov është zgjedhur si guvernator në mars të 2011-tës me mandat prej shtatë vitesh.

Baby Boo