Grusht shteti veteranëve!


Edhe nëse dalin 100 mijë veteranë të luftës, ata duhet t’i marrin pagat, pa marrë parasysh a janë listat e fryra apo jo, sepse po të mos ishin veteranët, tjetër gjuhë do të flitej sot në Kuvendin e Kosovës. Kështu deklaronte deputetja nga radhët e koalicionit qeverisës Ganimete Musliu (PDK), në seancën plenare në tetor të vitit 2017. Në të njëjtën seancë, kryetari i Kuvendit, njëherit kryetari i PDK, Kadri Veseli deklaronte se listat e veteranëve janë fryre ngase ka pasur pajtueshmëri politike për një gjë të tillë.
Për kryeministrin Ramush Haradinaj, listat e fryra të veteranëve nuk paraqesin fare problem, ngase sipas tij “30 mijë veteranë janë vetëm në rajonin e Dukagjinit”, ani pse në vitin 2000 deklaronte se nuk kishte më shumë se tre mijë veteranë në atë zonë.

Përderisa krerët shtetërorë bënin këso deklarimesh, në të njëjtën kohë bënin thirrje që prokuroria ti hetoj listat e fryra të veteranëve. Çfarë edhe ndodhi. Pas një periudhe të gjatë hetimore, prokurori i ngarkuar me hetimin e listave të fryra të veteranëve dorëzoi padinë në korrik të vitit 2018. I njëjti prokurorë dha dorëheqje një muaj më vonë, ndër të tjera edhe për shkak të kërcënimeve që kishte pranuar gjatë kryerjes së detyrës.

Kur kryeministri dhe kryeparlamentari deklarojnë haptas se ka pajtim politik për manipulim me lista të veteranëve, natyrshëm që të gjithë ata që marrin guximin të argumentojnë ndryshe ose të hetojnë manipulimet do të ballafaqohen me presione politike e kërcënime. Këtë fat e kishte edhe prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, e këtë fat e ka i tërë sistemi gjyqësor i Kosovës i cili është nën kontroll dhe presion të politikës. Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj fajësoi kryeprokurorin Aleksander Lumezi për presion për faktin se e kishte ftuar për të intervistuar edhe Kadri Veselin – atë të cilin bënte thirrje për hetim nga prokuroria. Përse Kadri Veseli të mos e ftoj prokurorinë për hetim, kur vet ai është i mbrojtur nga Kryeprokurori?

Përderisa Ramush Haradinaj nuk ishte pjesë e hetimeve të prokurorisë për manipulimin me listat e veteranëve, si duket prokurori ishte duke u hetuar nga Haradinaj. Në një intervistë televizive, kryeministri e akuzoi prokurorin e dorëhequr si “hajn e pishpirik, njeri i cili ka ikur në Bllacë”. Ky është sulmi më i madh publik që një ish-komandant dhe kryeministër mund të ja bëj sistemit të drejtësisë. Kur kryeministri aq hapur sulmon një prokuror, mund të imagjinohen sulmet e fshehta që i bëhen prokurorëve e gjykatësve në baza të rregullta. Sulmi i Kryeministrit vjen vetëm tri javë pasi që dha ultimatum institucioneve gjyqësore që për tre muaj të dalin me rezultate konkrete. Por, rezultatet konkrete të institucioneve gjyqësore duhet domosdo t’i shkojnë për qejfi kryeministrit Haradinaj.

Pushteti i veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është aq i madh sa qeverisja në Kosovë i ngjanë një qeverisje para-ushtarake në heshtje. Një statokraci, ku ish luftëtarët kanë zëvendësuar uniformat ushtarake me kravata dhe qeverisjen e shohin si mundësi të zhvatjes në emër të meritave të luftës. Veteranët dhe shoqatat e veteranëve në jo pak raste kanë ndikuar vendimmarrjen politike në vend, shpeshherë duke kërcënuar vendimmarrësit individualisht ose duke kërcënuar me destabilizim të vendit.

Për shkak të ndikimit të tyre, të gjitha qeveritë pas shpalljes së pavarësisë kanë ndarë me miliona euro nga kategoria buxhetore e shpenzimeve të paparashikuara për shoqatat e veteranëve. Nga janari i vitit 2008 e deri në maj të vitit 2018, me vendime të qeverisë janë ndarë së paku 5.5 milionë euro si subvencione për shoqatat e dala nga lufta, në emër të pushimeve në bregdet apo rehabilitim, mjete për të cilat asnjëherë nuk është dhënë llogari.

Ishin shoqatat e veteranëve ato që kërcënonin deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancë, kur këta të fundit diskutonin për përfshirjen e grave të dhunuara në luftë si pjesë e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK. Ishin po veteranët ata që në fund të vitit të kaluar ndërmorën iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për dhomat e specializuara, iniciative e cila u ndalua pas presionit të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare.

Por, ndikimin më të madh deri më tani këto shoqata e kishin me rastin e aprovimit të Ligjit për veteranët e luftës së UÇK, ligj i cili u garanton pensione të përhershme pjesëtarëve të luftës dhe familjarëve të tyre. I tërë procesi i verifikimit të listave të veteranëve, aprovimi i statusit, hartimi i ligjit dhe ndarja e pensioneve kontrollohet nga shoqatat e veteranëve.

I filluar në prill të vitit 2010 me vendimin e Qeverisë për themelimin e Komisionit për verifikim, procesit të verifikimit të listave të veteranëve nuk po i shihet fundi. Duke parë se buxheti për veteranët po dilte jashtë çdo kontrolli, Fondi Monetar Ndërkombëtar kushtëzoi Qeverinë që të bëj ndryshime në ligjin për veteranët, duke vënë një limit për shpenzime vjetore për pensionet e veteranëve i cili nuk kalon mbi 0.7% të BPV-së (GDP) në vit. Por për të hyrë në fuqi ky rregull, parashihej që Qeveria të aprovoj raportin përfundimtar për listat e veteranëve. Ky raport nuk është aprovuar ende. Qeveria Mustafa dhe Qeveria Haradinaj kanë aprovuar raporte jo përfundimtare, por asnjëherë nuk kanë bërë presion që të dorëzohet dhe aprovohet raporti përfundimtarë me listat e veteranëve të luftës së UÇK. Komisionit për verifikim të listave i është vazhduar mandati katër herë. Për këtë përgjegjës kryesor tashmë është kryeministri Haradinaj.

Për faktin se ndryshimet në Ligjin për veteranët e luftës së UÇK nuk kanë hyrë ende në fuqi, buxheti vjetor për pensionet e kësaj kategorie kalon 1.2% të BPV-së së Kosovës. Se buxheti për veteranët e luftës ka kaluar çdo parashikim, mjafton të shikojmë planifikimet buxhetore nga viti 2015. Ndarja e pensioneve filloi në vitin 2016, ku u planifikuan fillimisht të shpenzoheshin 25 milionë euro. Por kjo shumë u rrit në 32 milionë me rishikimin e buxhetit. Për vitin 2017 u planifikuan 38 milionë euro, por sërish kjo shumë u rrit në më shumë se 64 milionë euro me rishikimin e buxhetit. Me buxhetin e 2018 është parashikuar të shpenzohen 58.7 milionë euro, por as kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme. Vetëm në gjashtë muajt e parë të 2018 janë shpenzuar 37.8 milionë euro, apo 64% e mjeteve të planifikuara. Deri në fund të vitit 2018 pritet të shpenzohen 75.7 deri 81 milionë euro për pensionet e veteranëve.

Baby Boo