Grupi i xhirimit i televizionit Top Channel largohet nga Ukraina


Grupi i xhirimit të Top Channel në Ukrainë, gazetari Muhamed Veliu së bashku me operatorin Besfort Kryeziu mesditën e kësaj të shtune janë larguar nga aeroporti ndërkombëtar i Kievit, drejt Stambollit. Ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri në orët e vona të darkës.

Gazetari Muhamed Veliu, së bashku me operatorin Besfort Kryeziu, prej disa ditësh, raportuan live nga Ukraina në lidhje me situatën e krijuar atje.

Nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës dhe deri tek llogoret në frontin e “luftës” në lindje të vendit, kamera e televizionit Top Channel preku nga afër dhe nga dita në ditë ankthin dhe frikën e përshkallëzimit të situatës në terren.

Më herët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bëri thirrje gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Ukrainë të largohen sa më parë nga ky vend, si dhe paralajmëroi të mos udhëtohet në drejtim të tij.

Thirrja e MEPJ vjen për shkak të situatës në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës, ku siç sqarohet përmes një njoftimi për mediat, ekziston ‘rreziku i besueshëm i përshkallëzimit të situatës’.

Baby Boo