Gruevski pohon se provat janë në anën e tij (VIDEO)


Ish-kryeministri Nikolla Gruevski në gjykatë nuk e prezantoi mbrojtjen e tij për blerjen e mercedesit në vlerë prej 600 mijë eurove, përkatësisht për lëndën e njohur si Tanku. Në seancën e sotme gjykata i shqyrtoi provat pasi që gjykatësja Dobrilla Kacarska i pyeti të akuzuarit nëse do të prezantojnë mbrojtjen e tyre, Gruevski tha se nuk do ta bëjë këtë për shkak se të gjitha provat si dhe ato të PPS-së, e vërtetojnë pafajësinë e tij.

“Në të gjitha dëshmitë deri më tani, dëshmitë materiale, edhe ato të PPS-së edhe ato që i prezantuam ne, vërtetohet se ajo për të cilën më akuzon PPS, nuk është e vërtetë. Nuk kishte nevojë që t’i përsëris të gjitha gjërat që nga fillimi deri në fund”, tha Gruevski.

Edhe pse paraprakisht, pala mbrojtëse i zvarriste seancat me kërkesë për heqjen e gjykatësve për shkak të deklaratës televizive të speciales Katica Janeva, sot zbatuan një praktikë tjetër duke kërkuar tërheqjen e saj. Ata pohuan se Janeva merr para nga buxheti shtetëror dhe mund të jetë pala e dëmtuar në këtë rast, por edhe dyshojnë në paanshmërinë e prokurorisë. Pas disa pauzave, gjykatësja i refuzoi këto kërkesat. Gruevski pret vendim për lirim edhe pse, siç tha, me gjykatësen Kacarska gjithçka mund të pritet.

“Nëse gjykata qëndron në anën e drejtësisë, nuk ka dilema, ky është rast i përfunduar me vendime për lirim. Në publik qarkulluan informacione se ka marrëveshje mes Zaevit dhe gjykatëses Dobrilla Kacarska se ajo do të merrte post më të lartë në Gjykatën e Apelit”, shtoi Gruevski.

Në seancën e ardhshme, gjykata do t’i shqyrtojë provat e reja të cilat sot i dorëzoi PPS-ja, ndërsa më 17 maj seanca do të fillojë me fjalët përfundimtare të të dyja palëve, dhe pastaj pritet që gjykatësja Dobrilla Kacarska të caktojë shpalljen e aktgjykimit.

Baby Boo