Gruevski me ankes të re tenton t’i shmanget dënimit


Dy salla të gjykatës në Gjykatën penale Shkupi 1 sot u shndërruan në sallë pritjeje. Për shkak të rastit “Titanik” për parregullsitë zgjedhore, Pepiq u vonua në gjykimin për rastin 27 prilli, ndërsa Gruevski u vonua për rastin e shuplakave të porositura në komunën Qendër, pasi ishte në gjykim për rastin “Titanik”. Pasi përfundoi “Titaniku”, që të dytë u nisën për në sallën tjetër të gjykatës.

Ish-kryeministrin në dalje nga ndërtesa barok e Gjykatës penale, jashtë e priti korrieri i gjykatës. Ai ia dorëzoi vendimin me të cilin i refuzohet kërkesa e tij që të mos shkojë në burg për rastin “Tanku”.

Gruevski me vëmendje e lexoi vendimin e gjykatës. Nënshkroi që e ka pranuar dokumentin, por nuk deshi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

Gruevski u nis drejt ndërtesës së vjetër të gjykatës. Atje u gjykua për shuplakat e porositura në komunën Qendër.

Ndonëse Gruevski personalisht nuk u përgjigj nëse do ankohet sërish në Gjykatën penale për dy vitet burg për Mercedesin e blinduar, avokatët e tij paralajmëruan se do dorëzojnë ankesë. Por, kësaj radhë ajo do të adresohet në Këshillin penal, pasi paraprakisht lutjen e tij për shtyrjen e vuajtjes së dënimit e refuzoi gjykatësi për zbatimin e sanksioneve.

Nga Gjykata saktësojnë se me ankesën e re, nuk do të përgatitet akt i ri udhëzues për Gruevskin. Ai më 8 nëntor duhet të lajmërohet në portën e burgut në Shutkë. Megjithatë kjo datë nuk është fikse, kështu që Gruevski mund të fitojë edhe disa ditë për shkak të afatit ligjorë prej tre ditëve kur Këshilli penal duhet të merr vendim për ankesën e re.

Paralelisht me këtë, Gruevski shpëtim nga burgu kërkon edhe nga Gjykata Supreme. Por, për kërkesën në këtë gjykatë më të lartë, mendim duhet të japë edhe Prokuroria Speciale.

Për blerjen  e Mercedesit të blinduar Gruevski u dënua me dy vjet burg për marrjen e shpërblimit përmes ndikimit joligjor. Pasi vendimi u bë i plotfuqishëm, ish-kryeministri kërkoi shtyrjen e vuajtjes së dënimit. Jozyrtarisht, në kërkesën e tij ka shënuar dy arsye- obligimet që i ka si deputet në Kuvend dhe arsyeja tjetër është se ai shkruan libër.

Baby Boo