Grubi: “Raporti i Dick Marty, shpikje që gënjeshtrat i ktheu në fakte të paverifikuara”


Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka përmendur raportin e Dick Marty-t që sipas tij, i vendosi njollë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se kjo është një shpikje që përputhet me propagandën e Putinit për Ukrainën, bazuar në gënjeshtra.

“Një tjetër paragjykim shkatërrues që duhet të përmend është raporti famëkeq i ish-senatorit zviceran, Dick Marty, që i dha një dimension kaq të pabesueshëm dhe i vuri njollë luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Një shpikje që përputhet me propagandën e Putinit për Ukrainën bazuar në gënjeshtra, i ktheu ato në fakte të paverifikuara, pavarësisht faktit se Kombet e Bashkuara, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përballë raportit të rremë dhe i mbylli hetimet si të pabazuara”, tha ai.

Në këtë forum ndër të tjetra numri dy në Maqedoninë e Veriut, tha se duhet lënë pas mentalitetin diskriminues ndaj pozitës së grave.

“Në shoqëritë tona të papërsosura, dhe në procese reformuese të papërfunduara, por edhe për shkak të anomalive shoqëruese të këtyre proceseve, ende mund të hasim fenomene që na shqetësojnë. Prandaj, ne jemi këtu, dhe jemi përgjegjës të kemi guxim të merremi me një dukuri e keqe që është edhe sot, kur gratë dhe grupet e cenueshme vihen sërish në shënjestër të dhunës, torturës, dhe trajtimit çnjerëzor për motive dhe shkaqe të ndryshme. Sot jemi këtu për të dhënë mesazhin tonë se këto dukuri janë të çuditshme për ne, për shoqëritë tona, se format e dhunës janë të papranueshme, sepse nuk guxojmë të bëjmë hapa pas, sidomos kur korrigjojmë padrejtësinë ideologjike dhe lëmë pas mentalitetin diskriminues, veçanërisht ndaj pozitës së grave, duke avancuar çdo ditë e më shumë pozicionin e tyre në vendimmarrje dhe faktorizimin e zërit të tyre”, shtoi ai.

Baby Boo