Grubi pret miratimin e ligjit për PP dhe përkrahje nga VMRO-DPMNE-ja


Deputeti dhe kryetari i Komisionit të Kuvendit për çështje evropiane, Artan Grubi pret miratimin e ligjit për prokurori publike, nëse, siç deklaroi sot, teksti i cili tanimë është parashtruar në Kuvend përputhet me atë dje të miratuar të Qeverisë.

Sipas tij, është e mundur që ligji të miratohet deri të mërkurën, në kuadër të ditëve të pritura, që të shpërbëhet kjo përbërje parlamentare dhe të mbahen zgjedhjet, siç paraprakisht në mënyrë konsensuale u arrit marrëveshje te presidenti Stevo Pendarovski, më 12 prill.

Grubi tha se në ligjin ka zgjidhje pozitive, se të gjitha çështjet që kanë qenë të kontestueshme për BE-në dhe për vendet anëtare tanimë janë zgjidhur, si dhe se shpreson në përkrahje nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Në tekstin e ligjit, shtoi ai, janë vendosur edhe vërejtjet e tetë deputetëve të pavarur. Duhet të shihet nëse janë vendosur edhe vërejtjet e BDI-së, duke marrë parasysh se ligji në mëngjes ka arritur në Kuvend.

“Do të duhet ta shoh tekstin, nëse është ai për të cilën është arritur marrëveshje mbrëmë në Qeveri, nëse është ai që e harmonizuam si tekst në dy ligjet dhe pastaj do të shpreh qëndrim lidhur me ato dy ligje, për prokurorinë publike dhe për Këshillin e prokurorëve publikë. Gjithsesi mbrëmë së bashku me partnerët e koalicionit e kemi harmonizuar tekstin e ligjit për prokurori publike, por nuk di nëse është i njëjtë teksti që sot është dorëzuar në Kuvend, ashtu që duhet ta shoh këtë. Do të duhet ta lexoj, të shoh nëse është ai për të cilën arritëm marrëveshje dje. Nëse është ai, mendoj se do të përfundojmë punë në këtë Kuvend, do ta miratojmë ligjin gjatë kohë të pritur në një kohë të caktuar për shpërbërje të Kuvendit, që të mbahen zgjedhje të parakohshme”, tha Grubi në Kuvend.

Në pyetjen nëse pret obstruksione nga VMRO-DPMNE-ja, porositi se së pari duhet ta lexojnë tekstin.

“Pres një herë ta lexojnë ligjin, pasi nuk besoj se e kanë lexuar. Ligji sa ka arritur para disa orëve deri te Komisioni, e pastaj do të përcillet deri te të gjithë deputetët. Vlerësoj se ka zgjidhje pozitive nëse mbetet teksti që e kemi arritur mbrëmë. Pasi ta lexojnë, mendoj se do të japin edhe ata mendim pozitiv dhe do t’i bashkangjiten këtij teksti. Të gjitha çështjet që ishin të kontestueshme për BE-në dhe për vendet anëtare lidhur me këtë ligj tanimë janë zgjidhur. Do të thotë rastet tanimë janë transmetuar në Prokurorinë publike, rastet tanimë janë pranuar nga gjykatat, u janë dhënë prokurorëve të njëjtë, si dhe dëshmitë tanimë janë dërguar nga PSP në PP. Do të thotë gjithçka që ishte e kontestueshme lidhur me këtë ligj dhe e nevojshme që të miratohet, tanimë është zgjidhur dhe këtë ua thash edhe miqve të mi holandezë – kolegë, e të njëjtën e thash edhe në Uashington dhe në të gjitha takimet të cilat i realizova me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Grubi.

Ai përkujtoi se ligjet për PP dhe për Këshillin e prokurorëve publikë duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar.

Grubi në mëngjes ka realizuar takim me delegacionin e Komisionit për çështje evropiane të parlamentit holandez dhe nga ai, përmendi, ka marrë inkurajim se shteti i ynë i ka plotësuar kushtet dhe meriton fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Baby Boo