Grubi ende nuk i është përgjigjur Mexhitit! Afati për përgjigje skadon pas 10 ditësh


Edhe 10 ditë i kanë mbetur zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi që t’u përgjigjet pyetjeve të bashkëpartiakut të tij deputet, Izet Mexhiti.
Neni 42 i Rregullores së Kuvendit, parashikon se nëse një anëtar i Qeverisë nuk ka mundësi të përgjigjet me gojë në seancë, është i detyruar që në afat prej 20 ditësh përgjigjen ta japë me shkrim.

Po zëvendëskryeministri i parë ende nuk e ka bërë këtë gjë.
Jozyrtarisht TV21 nga burime nga Kuvendi mëson se ende nuk është pranuar ndonjë përgjigje e Grubit për pyetjet e Mexhitit.
Pyetëm edhe në kabinetin e zëvendëskryeministrit, nga ku nuk tregun se si do të veprojnë me kthimin e përgjigjes, e të vetmen gjë që thonë është se Grubi të hënën do të jetë në emisionin ClickPlus në TV21 ku do të flasë për këto.

Në fund të dhjetorit, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti i parashtroi disa pyetje zëvendëskryeministrit, i cili po ashtu vjen nga radhët e integristëve.
Çështjet që ngriti ishin për zonën industriale në Vizbeg, përfaqësimi adekuat në ndërmarrjet private, si dhe realizimi i premtimeve të dhëna nga BDI.

“Ne si deputetë të shumicës, mbajmë përgjegjësinë për punën e kësaj Qeverie. Ne votojmë për këtë Qeveri dhe bashkë me ju do të dalim para qytetarit. Nuk është mirë që asnjë nga këto premtime në 100 ditëshin e parë nuk është realizuar. Mendoj se duhet të reflektojmë dhe premtimet që japim duhet t’i realizojmë që të dalim ballëhapur para qytetarit tonë”, tha Izet Mexhiti nga BDI.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që përgjigjja me shkrim e anëtarit të Qeverisë t’i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë ia përcjell parashtruesit të pyetjes dhe gjithë deputeteve.
Pakënaqësitë brenda integristëve nisën që kur u forma Qeveria e re, ndërsa Mexhiti deklaronte se “do votojë për qeverinë me vërejtjet personale që ka ndaj një pjese të ekzekutivit”.
Dy muaj e gjysmë më vonë u përfol për interpelancë që Mexhiti mund ta ngrinte ndaj bashkëpartiakëve të tij në ekzekutiv, por deri më tani, edhe pse ka kaluar 100 ditëshi i Qeverisë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Baby Boo