Gruaja e ve me kancer, që shet misra për të mbajtur familjen


Çdo mëngjes ajo pozicionohet në cepin buzë rrugës kryesore për të qenë e dukshme për pushuesit që me mjetet e tyre mësyjnë bregdetin e Sarandës për pushime.

Është 53-vjeçe dhe jeta e ka sfiduar me fatkeqësi. Fillimisht me diagnostikimin me kancerin e gjirit dhe fill më pas me humbjen e bashkëshortit në moshë shumë të re, duke i lënë mbi shpatulla dhe kujdesin për dy fëmijët.

“Jam pak e lodhur, pak e stresuar por shumë e kënaqur që dal dhe punoj që të jetoj, të siguroj të ardhura për familjen” thotë ajo për Ora News.

“Ka 9 vjet që pothuajse gjithçka është shembur. Ka qenë një jetë për bukuri, kam pasur një familje, dy fëmijët dhe bashkëshortin. Im shoq më la, unë jam e operuar. U diagnostikova me kancer në gji.E kapa me shumë vonesë, vazhdova ciklet e kimiove, rrezet, dhe duhet të shkoj gjithmonë për kontroll por nuk mundem. Nuk kisha sigurime, merrja një ndihmë sociale aty ku jetoj.

Kjo ndihma sociale sipas rregullave mu ndërpre prej një viti. Në momentin që bëja kimio humba bashkëshortin. Iku në moshën 45 vjeçare, çunin ma la 12 vjeç. Tani dal të siguroj të ardhurat e mia. Dal të punoj që mos ti shtrij dorën askujt dhe mos të shkruaj emrin në një fletore në dyqan” vijon rrëfimin e saj 53-vjeçarja.

“Djali mbaroi shkollën e mesme, një vit të lartën, tani punon në privat. Edhe vajza e arsimuar, në punë. Edhe ajo, dy vjet pas diagnostikimit tim, ka hequr një masë në zorrë. Fatkeqësi. Pas asaj u divorcua, e kam me një fëmijë, me qira” tregon më tej ajo.

Edhe pse gjithçka e ka arritur me mund dhe djersë, ajo e kujton me nostalgji kohën kur ishte e lumtur.

“Burri më ka punuar në polici, polici private dhe policinë e shtetit. Unë kam punuar pastrim hotelesh, çdo punë. 3 vjet kam bërë punën e malit, sherebelin. Atëherë ka qenë lumturia më e madhe, unë isha e pasur sikur flija mbi florinj. U bënë 9 vjet që gjithçka po shembet.

Baby Boo