Gruaja dyshohet se infektoi shumë të tjerë, u merren analizat dhe futen në karantinë një pjesë e stafit të Spitalit të Durrësit


Është rënduar gjendja shëndetësore të moshuarës së prekur me koronavirus në Durrës.

Gazetari Leonidha Musaj bën me dije për abcnews.al se 75 vjeçarja ka patur komplikacione të rënda dhe është kaluar nga reparti infektiv në reanimacion.

Pritet që gjatë ditës së dërgohet në spitalin Infektiv të Tiranës.

75 vjeçarja ishte paraqitur në spital dhe nuk u ka treguar mjekëve se ishte kthyer nga Italia. Ajo fillimisht është trajtuar për pneumoni dhe është zbuluar se kishte koronavirus pas bërjes së testit.

Para se të paraqitej në spital, gruaja ka qenë në një ceremoni mortore ku ka takuar edhe persona të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gruaja dyshohet se ka infektuar edhe persona të tjerë, përfshi edhe stafin e spitalit të Durrësit.

Pasi kanë mësuar këtë fakt, drejtuesit e spitalit të Durrësit kanë urdhëruar bërjen e analizave për një pjesë të mirë të stafit të spitalit të qytetit si edhe dërguan në shtëpi për të mos iu afruar ambienteve të spitalit.

Këta të fundit janë vetëkarantinuar me urdhër të Bordit Drejtues të spitalit.