Gripi i Shpezëve në Kosovë, asgjësohen rreth 10 ferma

Javë më parë u konfirmua prezenca e Gripit të Shpezëve tipi H5N8 në vendin tonë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar se mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë detektuar prezencën e Gripit të shpezëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 ( Gripi i shpezëve H5N8).
Si rezultat i kësaj deri më tash janë asgjësuar rreth 10 ferma. Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Baby Boo

“Deri më tash janë diku rreth 10 ferma që janë asgjësuar, kryesisht janë ferma të ekonomive familjare që pas marrjes së mostrave kanë rezultuar pozitiv në Gripin e Shpezëve H5N8”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka treguar se rastet e Gripit të Shpezëve që janë konfirmuar janë në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu Prizrenin, Rahovecin, Skenderajn, Mitrovicën, Malishevën dhe disa komuna tjera.

Ai ka shtuar se inspektorët janë në teren duke lokalizuar fermat e prekura tek të cilat kryhen të gjitha shërbimet duke përfshirë edhe asgjësimin e shpezëve të ngordhura dhe atyre prezentë ne fermë nën mbikëqyrje të veterinerëve zyrtar duke respektuar masat e biosigurisë.
Sipas OBSH gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve), i cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit.