Grenell thotë se ka parë Trumpin teksa “magjepste” Merkelin


Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare në Amerikë dhe ambasador në Gjermani, Richard Grenell, ka thënë se kishte parë nga afër presidentin Donald Trump teksa “kishte magjepsur” kancelaren gjermane Angela Merkel, pavarësisht se në publik janë parë raporte të ftohta mes liderëve.
“Kam parë se si presidenti Trump kishte magjepsur kancelaren e Gjermanisë teksa insistonte që Gjermania të paguajë obligimet e veta për NATO-n” ka thënë Grenell gjatë një fjalimi në Konventën Kombëtare të Republikanëve në SHBA, të mërkurën.

Komentet e Grenellit kanë zgjuar reagime të shumta në Twitter, ku përdoruesit kanë nisur të postojnë fotografi e video të Trumpit që fliste me Merkelin e cila dukej në pamje se është skeptike.
Trump kishte kritikuar në vazhdimësi Berlinin për mospërmbushjen e zotimit për shpenzimet e mbrojtjes në NATO, dhe së fundmi ka urdhëruar Pentagonin të tërheqë mijëra trupa nga Gjermania. Ndërkohë, përçmimi i Merkelit për Trumpin është dokumentuar mirë, me kancelaren që së fundmi refuzoi ftesën e presidentit për samitin e G7-s në Uashington, raporton “Politico”.

Në fjalimin e tij, Grenell ka vazhduar me lavdet për Trumpin.
“Si ambasador i SHBA-së në Gjermani, kisha ulësen në rresht të parë në politikën e jashtme të Donald Trumpit. Do të doja që çdo amerikan ta shohë se si presidenti Trump negocion në emër të tyre”, ka thënë tutje ai.

Ai ka akuzuar Demokratët dhe Republikanët në Uashington se kanë hyrë në “iluzionet e globalizimit të palimituar” dhe kanë lënë prapa “interesin e amerikanit mesatar”.
“Të gjitha komunitetet ishin të shkatërruara, dhe fabrikat tona të prodhimit ishin në Kinë. Kjo ndodhi kur Uashingtoni u ndal së qeni kryeqytet i SHBA-së, dhe nisi të jetë kryeqytet i botës”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, Trumpi ishte “autsajderi” që gjatë debateve më 2016 u ngrit dhe “tha në publik atë që çdo amerikan e thoshte në privatësi” – “se politika e jashtme amerikane ka dështuar”.
Grenell ka thënë se në anën tjetër, kandidati i Partisë Demokratike për president në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, është pikërisht e kundërta.

Ai tutje ka akuzuar Demokratët për operacione sekrete ndaj kampanjës së Trumpit më 2016.
Grenelli është edhe i dërguari i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi. Më 4 shtator ai pritet të mbajë një takim mes dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë.

Baby Boo