Gordana Jankulloska ende në liri! Pas 10 muajve nga aktgjykimi i plotfuqishëm, ende pritet vendimi i Supremes (VIDEO)


Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, edhe pse tashmë është dënuar me burg prej 4 vjetëve, ende është në liri, pasi Gjykata Supreme e shtyri vuajtjen e dënimit. Këtë kërkesë, Jankulloska, së pari e dërgoi në Gjykatën Penale e pastaj edhe në atë Supreme, sepse më 1 korrik të vitit 2019 kur duhej të hynte në Idrizovë, foshnja e saj nuk kishte mbushur 1 vit.

Nga Gjykata Supreme thonë se vuajtja e dënimit me burg është shtyrë derisa të marrin vendim rreth kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm.

“Unë mendoj se bëhet fjalë për selektivitet. Ju e dinë se kur tashmë arriti akti udhëzues kishte shumë pak kohë që personi tashmë i dënuar të dërgohet për vuajtje të dënimit. Mirëpo, në këtë rast shfrytëzojmë një “ilaç” të jashtëzakonshëm juridik për ta rishqyrtuar aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës”, tha Naser Raufi, avokat.

Raufi shton se kjo lëndë duhet të ketë prioritet dhe se nuk duhet të ketë interval aq të madh kohor për rishqyrtim të vendimit. Ai tha se ka edhe lëndë të tjera që kanë ngecur në Gjykatën supreme.

“Mendoj se në këtë rast bëhet fjalë për selektivitet, sepse duhej të kishte vendim kur bëhet fjalë për aktin udhëzues, përkatësisht për fillim të vuajtjes së dënimit me burg. Kjo nuk do të thotë se duhet të ketë dinamikë të njëjtë si lëndët e tjera, por tashmë duhej të kishte vendim. Është e qartë se këtu ka prapavijë politike siç është rasti me shumicën e lëndëve”, tha Naser Raufi, avokat.

Një kërkesë të këtillë për prolongim të dënimit deri te Gjykatë supreme e ka dorëzuar edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski në tetor 2018, para se të arratisej në Budapest. Ai është dënuar me dy vjet burg për të njëjtën lëndë “Tanku”, por Jankullovska gjykohej në procedurë të ndarë për shkak të shtatzënësisë.

Gjykata supreme pas kërkesave të dorëzuara për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktvendimit të plotfuqishëm, mund ta anulojë ose ta ndryshojë dënimin.

Baby Boo