Gjykimi për fajde, dëshmitari thotë se Afrim Muqiqi dha para për darka për tifozët


Lorik Berisha, në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor për fajde ka përmendur emrin e këngëtarit Afrim Muqiqi.

Ai ka thënë se tre herë të paktën këngëtari ka lënë para tek një lokal në kryeqytet për, siç ka thënë ai, “darka për tifozët”.

Muqiqi po konsiderohet palë e dëmtuar në rastin ku Alban Geci akuzohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, ndërsa Lulzim Berisha për fajde.

“Ndoshta 3 herë ka qenë krejt, hera e parë ka qenë që kemi marrë të hollat për pjesë organizative, për organizimin e brendshëm për ndeshje”, thuhet në dëshminë e Lorik Berishës.

“Hera e dytë nëse nuk gaboj ka qenë pagesa për disa bileta të ndeshjes së Kosovës. Hera e tretë ka qenë kur Luli më ka porosit duke thënë a munësh me shku tek restorani “Libero”, sepse Afrim Muqiqi na ka lan 100 ose 150 euro për me hangër darkë me gjithë tifozët, pasi që ka fitu Prishtina”, thuhet tutje në deklaratën e dëshmitarit.

I pyetur nga prokurori se në këto tri herë paratë i kishte lënë Afrim Muqiqi, dëshmitari pohoi se ishte ai që i kishte lënë ato tek restoranti.

Sipas aktakuzës, Bujar Gërbeshi nga janari i vitit 2017 deri në dhjetor të vitit 2018 i ka dhënë para me fajde të dëmtuarit Afrim Muqiqit.

Prokuroria thotë se këngëtarit iu dhanë rreth 10 mijë euro ndërsa i dëmtuari Muqiqi në periudha të ndryshme kohore është detyruar që që të kthejë shumën prej 10-30 %, në emër të kamatës për borxhin.

Aktakuza e prokurorisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë me 8 maj 2019, ndaj Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, me qëllim të përfitimit duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakqori dhe Besim Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtulla Zhugolli ka marrë nga i pandehur Dalip Brahimi shumën në total prej 165.914.00 euro, përmes transferimit bankare.

Kurse i dëmtuari Zhugolli në aktakuze thuhet se më pas i kishte kthyer shumën e përgjithshme 599.000.00 euro, kurse për pjesën e mbetur të borxhit i pandehuri Dalip Brahimi i kishte marrë të dëmtuarve Bejtullah Zhugolli dhe Ilmi Zhugolli një lokal, çmimi i të cilit ishte 167.000.00 euro, tri banesa me çmim prej 146.805.00 euro, një veturë të tipit “Mercedes”, krejt kjo pasuri e cila i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugollit tejkalon shumën prej 1 milion euro.

Ndërsa në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dalip Brahimi me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave dhe banesave, së bashku me të dëmtuarin Bejtullah Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë tek noteri, kinse i pandehuri Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Bejtush Zhugollit parcelën në shumë prej 1,001,200.00 euro, kurse i pandehuri Ismet Salihu ishte personi i cili ushtronte ndikim tek vëllezërit Zhugolli për kthimin e mjeteve financiare.