Gjykatësja Bashevska i tha Alimit: Së pari jeni i akuzuar, pastaj deputet!


Pas përfundimit të seancës së sotme gjyqësore të rastit “Titanik 3” gjykatësja Lubinka Bashevska dhe i akuzuari Ejup Alimi u fjalosën për atë se a është Alimi deputet ose i akuzuar, transmeton Portalb.mk.

Debati filloi pasi që Ejup Alimit nuk i konvenonin terminet e ofruara për mbajtjen e seancave të radhës. Ai tha se është i zënë me 14 shtator, siç tha ai, në pjesën e parë të shtatorit ka angazhime rreth ligjeve reformuese, ku vetë konfirmoi se si i akuzuar punon në reformat e gjyqësorit. Alimit nuk i konvenonte as termini për 28 shtator sepse është e premtja e fundit e muajit ku deputetët duhet të parashtrojnë pyetje në Kuvend. Për këtë replikoi gjykatësja Bashevska.

“Së pari jeni i akuzuar dhe pastaj deputet”, tha Beshevska.

Por Alimi i tha “Jo, së pari jam deputet, pastaj i akuzuar”.

Seanca e radhës është caktuar për me 20 shtator, ku do të vazhdohet me dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale Publike (PSP).

Ndryshe, në rastin “Titanik 3” si të akuzuar janë koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi dhe pjesëtari tjetër i kësaj partie, Ismet Guri, për veprën penale “shkatërrim të materialit zgjedhor”, njofton Portalb.mk.

Veprën penale, Alimi dhe Guri e kanë kryer deri sa kanë qenë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Çair.

Në seancën e kaluar, të akuzuarit edhe pse deklaruan se e kuptojnë aktakuzën e prokurores speciale, Fatime Fetai, sërish nuk ndjehen fajtor.

Në bazë të veprës penale “shkatërrim të materialit zgjedhor”, të akuzuarit kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor, janë përpjekur që të falsifikojnë votën e qytetarëve të Çairit, duke pasur për qëllim të arrijnë fuqi politike.

Avokatët mbrojtës, kanë deklaruar se me fakte do të dëshmojnë se klientët e tyre nuk janë fajtor.

Baby Boo