Gjykatësi infektohet me virus – Vazhdon zvarritja për rigjykim të rastit “Alfa”


Gjykatësi që duhet ta procedojë lëndën “Alfa” deri tek Byroja për ekspertizë gjyqësore është infektuar me Covid-19, mësohet nga mediat nga burime brenda Gjykatës Penale. Nuk dihet nëse gjykatësi do të zëvendësohet nga ndonjë koleg tjetër gjykatës, megjithatë nga gjykata thonë se është çështje ditësh kur do të dorëzohet ekspertiza për mendim në Byronë për ekspertizë.

“Lënda edhe formalisht të hënën ka arritur deri te Gjykata Penale, por gjykatësi që duhet ta procedojë lëndën nuk është momentalisht në punë sepse ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Nuk dihet se kur do të kthehet në punë, por e gjitha kjo është çështje kohësh”, tha ky burim nga Gjykata Penale.

Se lënda nuk ka mbërritur ende në Byronë për ekspertizë konfirmon edhe përgjigja që i është kthyer familjarëve në rastin “Alfa”. Nga Byroja u kanë thënë se përgjigja mbi ekspertizën do të varet nga kërkesat konkrete të Penales.

“Byroja për ekspertiza gjyqësore në kuadër të kompetencave të saj përgatit ekspertizë-përfundime profesionale dhe mendim bazuar në aplikimin e metodave shkencore dhe profesionale, të arritjeve teknike, njohurive dhe përvojës profesionale, si dhe superekspertizë dhe ekspertizë të shkallës më të lartë. Se si do të veprojë Byroja e Ekspertizës Gjyqësore nëse Gjykata Themelore Penale Shkup e dorëzon kërkesën apo shkresën tjetër lidhur me rastin e lartpërmendur, do të varet nga kërkesa, gjegjësisht nga kërkesat konkrete që gjykata do t’ia adresojë Byrosë”, thanë nga Byroja për ekspertizë gjyqësore.

Ekspertiza e rastit “Alfa” është përgatitur nga Qendra për Hulumtime Forenzike në Serbi. Në raport thuhet se dy të dënuarit, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi, nuk janë kryerësit e veprës penale. Potencohet se Agim Islami nuk përputhet me asnjë provë materiale të marra si dëshmi nga gjykata, ndërsa ADN-ja e Rexhail Qerimit është marrë në kundërshtim me ligjin.

Vrasja e policit shqiptar ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008. Bashkë me të mbetën të plagosur edhe dy policë të tjerë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin, ndërsa Almir Dërplaninin u dënua në mungesë. Ramadan Shaqiri u dënua me 9 vite burg për logjistikë.

Baby Boo