Gjykata konfirmon padinë për rektorin e UNT-së


Gjykata Themelore konfirmon procedimin e padisë kundërvajtëse ndaj Rektorit të Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, të ngritur nga Inspektorati i Arsimit. Kërkesa drejtuar gjykatës e cila daton që nga janari i këtij viti, thotë që ajo të ndërhyjë për shkak se universiteti ka mohuar të zbatojë urdhërat e inspektoratit, sa i takon asgjësimit të titullit profesor inordinar të Bashkim Idrizit. Nga gjykata njoftojnë se akoma nuk ka një vendim.

Ju njoftojmë se kundër këtij personi në departamentin e shkeljeve është formuar lëndë e cila është në fazën e procedimit, gjegjësisht nuk është përfunduar akoma. Kur gjykatësja e cila ndjek lëndën do të sjellë vendim, ai do të publikohet – deklaroi Gjykata Themelore Shkupi 1.

Disa nga partitë politike shqiptare kanë reaguar për parregullsitë e publikuara së fundmi dhe që kanë të bëjnë me Universitetin “Nënë Tereza”. Nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit duke komentuar edhe titullin “Doctor Honoris Causa” të ndarë një ditë më parë nga UNT-ja për nobelistin Ferid Murad, por edhe shkeljet e konstatuara, shkruajnë se:

Dy ditë para se të hapej UNT-ja funksionarët partiak dolën nëpër Shkup për të gjetur hapësira ku do ta vendosnin “selinë” e të papunëve partiak, sikur të ishte një strehimore për ato familje fatkeqe që i ka zënë “vërshimi” apo tërmeti. Serioziteti i punës do duhej të ishte së paku një studim i mirëfilltë disa vjeçar për nevojat e arsimit të lartë. Ne gjykojmë se dr. Ferid Muradi, i cili është sinonim i vlerave të larta shkencor dhe arsimore nuk ka qenë në dije të lojërave të ulëta profitero-politike të kupolës së UNT-së. Prandaj, kërkojmë nga UNT-ja t’i kërkoj falje publike dr.Ferid Muradit për keqpërdorimin e emrit të tij për qëllime të ulta të një marketingu miop. Lëvizja Besa, dënon ashpër politikat e dështuara arsimore të qeverisë dhe BDI-së dhe kërkon që të ndalohen politikat për interesa të ulëta afatshkurtëra partiake e që shkojnë në dëm të shqiptarëve – deklaroi Lëvizja “Besa” e Bilall Kasamit.

Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër kërkon një revision të përgjithshëm për institucionet e arsimit të lartë në vend, për të cilat thonë se kanë ndikime të theksuara politike nga pushteti.

Paralajmërimet e vazhdueshme të Inspektoriatit për Arsim për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, si dhe Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, për parregullësi të ndryshme dhe shkelje të procedurave ligjerore gjatë përzgjedhjes së profesorëve, madje edhe vetë Rektorit të UNT, pa konkurs, tregojnë tendencat e BDI-së, e cila ka kapur këto Universitete, duke e devalvuar në masë të madhe arsimin sipëror në Maqedoni, duke e politizuar dhe privatizuar, vetëm për t’i rehabilituar figurat e tyre partiake, si profesorë universitar. Ne si Aleancë për Shqiptarët vazhdimisht kemi paralajmëruar dhe kërkuar nga organet kompetente të kryejnë revizion të hollësishëm për mënyrën e punësimeve partiake dhe tenderëve për ndërtimin e godinave universitare të cilët ndahen pa asnjë standard tenderimi siç ishte rasti me Universitetin “Nënë Tereza – thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Një ditë më parë, Rektori i UNT-së Aziz Pollozhani refuzoi të flasë për kamerën e Alsat në lidhje me shkeljet e konstatuara në universitetin e tij nga Inspektorati i Arsimit. Lëshime kryesisht ka pasur në përzgjedhjen e Pollozhanit Rektor, në përbërjen e senatit, në përzgjedhjen e stafit akademik me tituj u paraprakisht u janë asgjësuar, si dhe vonesa të theksuara në projektin themelor të objektit të ri të universitetit.

Alsat prej ditësh pret reagim zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me shkeljet, ndërkohë që do të kërkojë ndërgjegjësim dhe reagim edhe nga qarqet akademike si dhe ambasadat e huaja në vend.

Baby Boo