Gjuriq i përgjigjet Thaçit: Koha jote ka mbaruar, ëndrra për Luginën s’do të realizohet


Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i ka reaguar deklaratës së presidentit Hashim Thaçi që tha se dëshiron që Lugina e Preshevës të përfshihet në territorin e Kosovës.

Ai duke thënë se ka mbaruar koha e udhëheqësve të luftës, theksoi se komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës janë dhe do të jenë pjesë e të njëjtit shtet – Republikës së Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Hashim Thaçi gjithashtu mund të ëndërrojë të aneksojë Tahitin ose Xhamajkën në Kosovën e vetëshpallur, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, ashtu si ëndrrat e tij për Bujanovacin, Preshevën dhe Medvegjën nuk do të realizohen”.

“Në vend që të ëndërrojë për Shqipërinë e Madhe, Thaçi duhet të fillojë të mendojë për një profesion të ri, sepse koha e bordeve dhe luftëtarëve kombëtarë të Shqipërisë së Madhe ka përfunduar në mënyrë të pakthyeshme”.

“Kur Kosova në të vërtetë të rimerr statusin që ka sipas Rezolutës 1244, nuk do të ketë asnjë kalim administrativ midis komunave të përmendura dhe krahinës jugore të Serbisë dhe se banorët e Kosovës, për të cilët nuk ka urdhër arresti nga Republika e Serbisë, do të jenë të lirë të lëvizin në të gjithë territorin e shtetit të tyre të Serbisë”.

Thaçi mbrëmë në Rubikon tha se asnjëherë nuk diskutohet për shkëmbime territoresh në tavolinat ku ai është pjesëmarrës duke shtuar se ëndrra e tij është që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të përshihen pa u cenuar integriteti territorial i Republikës së Kosovës.

Baby Boo