Gjon Muharremaj tregoi si e refuzuan te Festivali i Këngës, reagon Alketa Vejsiu


Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, fitoi vendin e tretë mbrëmjen e djeshme në Eurovision ku përfaqësonte Zvicrën. Gjatë një interviste të dhënë për ABC e Pasdites, ai kishte treguar se ka pasur dëshirën që të përfaqësonte Shqipërinë, por organizatorët e Festivalit të Këngës e kanë lënë jashtë pasi ishin plotësuar vendet.

“Më kërkoi këngën për 4 ditë. Edhe ishte hajde apliko dhe pastaj më thirri disa ditë më vonë dhe më tha: ‘Më fal Gjon, jeni 22 kandidatë dhe janë 20 vende. Më fal që nuk të thashë më herët, kemi ardhur shumë vonë tek ty, kënga është frëngjisht’. Po ça është edhe më e çuditshme më tha se do vish si i ftuar në Festival dhe nuk më ftoj, por s’ka problem”, tregoi ai.

Por lidhur me këtë deklaratë ka reaguar edhe Alketa Alketa Vejsiu, e cila drejtonte Festivalin në kohën kur edhe Gjoni donte të merrte pjesë. E kontaktuar nga Anabel.al, ajo e ka pranuar këtë situatë, por duke theksuar se rregullat e Festivalit janë të njëjta për të gjithë.

“Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht.

E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi”, ka thënë Alketa.

Baby Boo