“Gjaku i pistë” – para deputetëve u përgjigj kryeministri


Filmi dokumentar “Gjaku i papastër” ishte pjesë e pyetjeve deputetësh. Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE tha se bëhet fjalë për dështim klasik të sistemit në të cilin janë përfshirë disa institucione, duke shtuar se nuk është e mundur që ky skandal të ketë zgjatur dy vite me radhë e askush të mos ketë reaguar. Ai pyeti përse nuk është ndërmarrë asnjë hap në drejtim të zbardhjes së rastit, për të cilin, siç tha, me siguri ka ditur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Pse nuk ndërmorët hapa më të fortë për zbardhjen e rastit? Pse nuk i larguat këta që drejtojnë me ato 5 institucione që janë nën kompetencën tuaj të drejtpërdrejtë si kryeministër dhe kryetar i Qeverisë, dhe pse nuk siguruat deri në fund një hetim të qartë i cili do të zbulonte se kush është fajtor për jetët e humbura dhe për përfitimin që ka realizuar kjo klinikë? Dhe në fund – pse ende po tentoni në mënyrë të pasuksesshme ta fshihni Venko Filipçen?”, deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Qeveria tashmë ka diskutuar për pretendimet e paraqitura në storien hulumtuese për ngjarjet në spitalin privat dhe ka kërkuar raporte nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, Agjencia e Barnave “Malmed”, kurse janë formuar edhe disa komisione për hetimin e rastit, u përgjigj Kovaçevski.

“Janë formuar të gjitha komisionet e nevojshme dhe profesionale të cilat do të duhet të hetojnë rastin në detaje. Janë njoftuar të gjitha inspektoratet që të punojnë në përputhje me kompetencat ligjore, kurse ministri i Shëndetësisë sipas të gjitha të dhënave që do t’i marrë. Ministria e Shëndetësisë do të duhet ta informojë Qeverinë dhe nëse në bazë të përfundimeve të komisioneve, mbikëqyrjeve inspektuese dhe institucioneve të tjera të përfshira, zbulohet se ka parregullsi të caktuara, atëherë natyrisht që ato do të procedohen në pajtueshmëri me rregullativën ligjore në vend”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Filmi dokumentar ngriti në këmbë tërë opinionin publik, pasi doli në pah se si ka punuar spitali “Zhan Mitrev” me metodën e hemofiltrimit gjatë pandemisë së Kovid-19.

Baby Boo