Gënjeu pacientin se EKG nuk është në funksion, suspendohet mjeku i QKMF në Lipjan

Një mjek i QKMF në Lipjan është suspenduar nga puna, pasi i njëjti duke neglizhuar punën e ka kthyer prapa një pacient dhe nuk ia ka bërë ekzaminimin EKG duke e gënjyer se aparati është jashtë funksionit.
Në njoftimin nga Komuna e Lipjanit bëhet e ditur se drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shkelzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi – mjek i përgjithshëm.

Baby Boo

“Pas konstatimit nga drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit nga Komuna, ky rast do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore.
“Askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve”, thuhet në njoftim.

Mediat kanë publikuar sot një video ku shihet një pacient i moshës së shtyrë teksa kërkon që t’i bëhet testi për EKG, pasi që ka dhimbje në gjoks, por se mjeku i thotë se nuk bën askund.
“EKG-ja nuk është tu ba, as andej nuk është tu ba. As nuk jam drejtor as shef, jam veç mjek, ata e kanë përgjegjësi me pru EKG të re këtu edhe funksionale, kjo komunë është nuk është shpia jem që i ka 500 euro të ardhura, por ka miliona”, dëgjohet duke thënë mjeku.