Gazsjellësi në Vodno, Bekteshi i fton OJQ-të për bisedime


Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bektesi, kërkon t’i bindë ambientalistët dhe OJQ-të se prerja e druve në malin Vodno do të jetë ekonomikisht të levërdishme. Bekteshi shpreson se punimet e ndërtimit në Vodno nuk do të ndalen dhe në të njëjtën kohë eko-shoqatat do të marrin informacion të saktë nga Qeveria mbi ndikimin në mjedisin jetësor.

Unë jam i bindur se rrjeti i gazsjellësit për Maqedoninë është më se i nevojshëm, duke pasur parasysh se nuk kemi shumë alternativa sa i përket furnizimit me energji. Por, në të njëjtën kohë, i respektoj të gjitha organizatat joqeveritare, kështu që ne, si Qeveri, jemi shumë transparentë dhe i ftojmë që të ulemi së bashku në një tryezë të rrumbullakët për të folur për përfitimet dhe ndikimet në mjedisin jetësor – deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ndërsa vetëm para disa ditëve edhe zëvendës-kryeministri Angjushev përmendi se nuk mund të evitohet prerje e vogël e pyllit kur realizohen projekte në infrastrukturë. Me Ligjin e ri për energjetikë, komunave u jepet mundësi që të formojnë kompani për shpërndarjen e gazit deri tek konsumatorët final. Nga institucionet ndërkombëtare financiare tashmë ka arritur konfirmimi se do ta mbështesin këtë projekt me 50 milionë euro.

Ai gazsjellës që e kishim deri tani në dhjetë vitet e fundit ka kapacitet nominal prej 800 milionë metra katrorë. Ne flasim për 3 miliardë shtesë. Kjo është katër herë më shumë sesa ai ekzistues të cilin, të theksoj, ne e shfrytëzojmë shumë pak – tha Mitko Andeevski, këshilltar i kryeministrit.

Kundër gazsjellësit magjistral që duhet të kalojë nëpër Vodno dhe të dërgojë gaz natyror drejt Tetovës dhe Gostivarit, u ngritën një numër i madh i shoqatave ekologjike dhe organizatave joqeveritare. Ato druajnë se Vodnos do t’i ndodhë katastrofë ekologjike. Ky intervenim ndërtimor në malin mbi Shkup është në gjatësi prej 11 kilometrash.

 

Baby Boo