Gazetari Urim Hasipi: Pritje madhështore nga udhëheqësia e komunës, por çka bënë krerët e Kosovës për Tetovën


Shkruan: Urim Hasipi

E çka keni bërë ju për Tetovën…

Mirë apo keq, Tetova do të mbetet ajka e shqiptarisë.

Me shumë mund dhe sakrificë, Tetova shpesh herë ka dalur përballë proceseve të rëndësishme gjatë zhvillimeve historike për kombin.

Shpesh herë është dashur që këtë ta paguajë me çmim të rëndë, por asnjëherë nuk ka treguar ligështi…

Tetova ishte në krah të Kosovës kur ajo kishte më shumë nevojë edhe gjatë viteve të 80-ta dhe 90 -ta, këtë nuk e them unë por e thonë ata që vijnë në Tetovë, pra krerët e lartë të shtetit të Kosovës.

Tetova ishte arterie e rëndësishme e bartjes së armatimit për luftarët e UÇk-së.

Tetova ofroi ndihmë në spitalin e saj për shumë luftarë të plagosur në beteja.

Tetova ishte shtëpia e parë për të dëbuarit me dhunë dhe kjo nuk është as meritë e as lëvdatë sepse dera për vëllaun në ditë të vështira është dhe duhet të jetë e hapur.

Tetova ishte arteria kryesore prej nga kaloi delegacioni i qeverisë së përkohshme së Kosovës në vitin 1999 për në malet e Berishës.

Në Tetovë dhe në Shkup u prit delegacioni i kësaj qeverie së përkohshme në mënyrë zyrtare.Kjo falë politikanëve të atëhershëm shqiptarë nga Tetova që ishin në qeveri.

Për këto zhvillime ndoshta shqiptarët e Tetovës nuk kanë kaluar mirë këtu nga shteti maqedonas,por kjo nuk është e rëndësishme.E rëndësishme ishte Kosova.

Pas gjithë këtij kontributi, Tetova vazhdoi të nderojë personalitetet nga Kosova pavarësisht të gjitha problemeve.

Ramush Haradinaj u prit në Tetovë me nderimet më të larta dhe u shpall qytetar nderi, në kohën kur në krye të komunës ishte Sadi Bexheti.

Rifat Jashari u shpall qytetar nderi në Tetovë në mënyrë dinjitoze dhe me respekt të pafund.

Djali i Adem Jasharit dhe Glauk Konjufca u pritën në mënyrë dinjitoze në Tetovë, në epopenë kushtuar rezistencës së familjes Jashari me 5,6 dhe 7 Mars e organizuar nga Komuna e Tetovës.

Mos të harrojmë se në një fshat të Kërçovës në vitin 1992 është mbajtur njëra nga mbledhjet më të rëndëishme të LPK-së ku është vendosur të krijohet krahu ushtarak për luftë kundër Serbisë.

Me sa e di ky fshat nuk është nderuar zyrtarisht asnjëherë përveçse është përmendur nëpër studio nga protagonist të atëhershëm por në formë telegrafike.

Pikërisht pas vërshimeve të fundit në Kosovë ndihmat e para u nisën nga një bizmesmen nga Tetova për në Kosovë.

Mos të flas për kontributin e Bardhyl Mahmutit por edhe të shumë të tjerëve qoftë para ose pas luftës.

A është nderuar veprimtari Naser Veliu nga Gostivari i cili kontribuoi shumë në vitet e 90 në Kosovë dhe për këtë veprimtari ai u vra nga UDBA së bashku me Nurije Zekën.

Edhe kësaj rradhe Tetova i rezervoi një pritje madhështore presidentes së tanishme Vjosa Osmani dhe jo vetëm.

Presidentja Vjosa Osmani sikurse të tjerët është pritur me flamuj kombëtar dhe me lule nga tetovarët dhe dyshoj se një pritje të këtillë i është bërë diku tjetër si në Tetovë qoftë nga tetovarët e qoftë nga kryetari Bilall Kasami.

Ajo foli fjalë të mëdha për shqiptarët e maqedonisë por edhe për Tetovën.

Por ajo do të duhet që në të ardhmen fjalët ti kthejë në vepra dhe Tetova ta ketë vendin e merituar nga Shteti dhe institucionet e Kosovës, sepse Tetovarët dhe shqiptarët e Kosovës mes vete respektohet dhe nderohen pa fund.

E deri këtu jemi në rregull.

Por, pyetja është çka ka bërë Shteti i Kosovës për Tetovën.

A është nderuar ndonjë personalitet nga Tetova derisa ka qenë gjallë, përveç autostradës që mban emrin Arben Xhaferi kurse sa ishte gjallë Arbën Xhaferi nuk u nderua për kontributin e tij nga institucionet e Kosovës.

A e mban ndonjë rrugë në Kosovë emrin e Arbën Xhaferit apo të ndonjë intelektuali tjetër shqiptar nga Maqedonia?

Thjeshtë a ka ndonjë rrugë me emrin Tetova në Kosovë?

A është shpallur qytetar nderi ndonjë tetovarë në Kosovë?

A është organizuar ndonjë akademi përkujtimore për nder të dëshmorit të Koshares Mujdin Aliu?

A ka rrugë me emrin Mujdin Aliu në Kosovë?

Aq shumë që e “duan” Tetovën, rrugën nga fusha e Pajtimit deri në Glloboçicë apo rrugën e Sharrit e kanë lënë krejt gropa.Rrugë e cila kalohet çdo ditë nga mijëra tetovarë dhe shqiptarë të Kosovës.

Aq shumë që e “duan” Tetovën ndërtuan autostradë nga Shkupi e jo nga Tetova.

Tetova nuk nderohet me fjalë të mëdha por me vepra.

Krerët e shtetit të Kosovës asnjëherë nuk mbajtën asnjë akademi për të falënderuar Tetovën, kurse ky qytet vazhdon të nderojë personalitetet nga Kosova me aq mundësi dhe takat sa ka.

Edhe pse për tërë këto kontribute Tetova dhe Tetovari nuk ka kërkuar mirënjohje por Tetova ka nevojë për mbështetje nga Kosova dhe shteti amë Shqipëria sepse është lënë në mëshirë të fatit.

(Ky shkrim është qëndrim personal dhe jo i redaksive ku punoj)

Baby Boo