GAZETARI RRËFEN MOMENTIN RRËQETHËS: SI MË SHPËTUAN JETËN DY ÇUNAT E MI, ENDE PA LINDUR…


Gazetari i njohur Robert Goro ka rrëfyer një moment rrëqethës nga karreira e tij, që mund të kishte humbur jetën.

Në një postim në rrjetet sociale, Goro shkruan se lajmi që gruaja e tij mund të sillte në jetë nga dita në ditë dy djemtë, ndryshoi rrjedhën e një sërë ngjarjesh që mund të kishin rezultuar fatale për të.

Shkrimi i plotë:

“Si më shpëtuan jetën dy çunat e mi, ende pa u lindur…

Si sot, 19 vjet më parë, 14 shtatori do të mund të ishte dita ime fatale. Pasditen e 14 shtatorit 1999, unë mund të isha në bordin e avionit qeveritar që po çonte në Bukuresht zëvendësministrin e jashtëm grek, Jannos Kranidiotis, i cili humbi jetën bashkë me të birin, dy gazetarë, një kameraman, një prej badigardëve dhe një pjesëtar të ekuipazhit.

Isha dhe unë pjesë e ekipit të gazetarëve, por në momentin që do të nisesha për në aeroport, Diana, duke më parë me trishtim, më tha: “Do të më lesh vetëm?”…

Ishte në “ditët e veta” si i thonë fjalës, për të lindur dy trimat tanë, Evrin dhe Themin. Nuk u mëdyshova aspak. Telefonova në ministrinë e jashtme greke, për t’iu thënë se e anuloja pjesëmarrjen time. Zëri nga ana tjetër e telit u ankua që pse nuk njoftova më përpara. “Kishte kaq kërkesa, mund të kishim vënë në listë një koleg tjetër”. Kërkova mirëkuptimin e tyre dhe e mbylla telefonin.

Pasdite, mbërriti lajmi i kobshëm, për tragjedinë e avionit qeveritar Falcon. Turbulencat, 20 minuta para se avioni të ulej në aeroportin e Bukureshtit, kishin vrarë gjithë ata që ndodheshin në bord pa lidhur rripat e sigurimit. Gjashtë njerëz. Unë do të kisha qenë me siguri i shtati, pse kisha zakonin e keq që të shisja mend e ta vija rripin vetëm kur ishte e detyrueshme, në ngjitje dhe në ulje.

Atë natë dhe për shumë ditë të tjera, tok me dhimbjen për ata njerëz që u ndanë kaq padrejtësisht nga jeta, nuk harroja të falënderoja Dianën dhe indirekt edhe dy çunat e mi që erdhën në jetë pesë ditë më vonë, mëngjesin e të dielës 19 shtator 1999.

Nuk harroj të falënderoj ata që më shpëtuan jetën dhe vazhdojnë më mbajnë në jetë…”

Baby Boo