Gazeta austriake: Thaçi kërkon shkëmbim të territorit me Serbinë për pranim në BE


Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung” ka thënë se Hashim Thaçi i sheh planet për një shkëmbim të territorit me Serbinë si mënyrën më e mirë për ta çuar përpara pranimin në BE dhe NATO. Sipas tij, marrëveshja do të krijojë më shumë stabilitet dhe paqe në rajon.

Ai ka thënë se kjo do t’ia mundësojë Kosovës dhe Serbisë hyrjen në BE dhe NATO.
“Nuk do të ketë kufi monoetnik, të dyja vendet do të jenë multietnike”, tha ish-bashkëthemeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi në vitet e 90-a për ndarjen e Kosovës nga Serbia. Tensionet në veri të Kosovës janë një nga arsyet për lidhjen e një marrëveshjeje me Serbinë së shpejti.

“Një marrëveshje e tillë do të thotë se kurrë më nuk do të ketë luftë mes dy vendeve. Njerëzit do të kenë një jetë më të mirë, sepse marrëveshja do ta përmirësojë situatën ekonomike, do të krijojë më shumë vende pune dhe do të hapë kufijtë”, tha Thaçi.

Sipas gazetës, gjasat për një marrëveshje të suksesshme janë më të mira se kurrë më parë sepse BE-ja dhe SHBA-ja po e mbështesin këtë plan. “Një risi është se Rusia gjithashtu do të jetë e gatshme të pranojë një marrëveshje që miratohet nga të dyja palët”, tha presidenti. “Në të kaluarën, nuk kishte një gatishmëri kaq të madhe. Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi, njerëzit tanë do të na dënojnë për dekada të tëra”, vazhdoi ai.

Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë e krijimit të Shqipërisë së Madhe. “Nuk do të ketë as Shqipëri të Madhe, as Kosovë të Madhe. Në vend të kësaj, ne synojmë ta integrojmë rajonin në hapësirën pan-evropiane”, tha ai.

Baby Boo