Gaza, 110 shtetas të huaj largohen përmes vendkalimit Rafah


Një zyrtar palestinez ka bërë të ditur se 110 shtetas të huaj, mbajtës të pasaportave të huaja, janë larguar nga Rripi i Gazës në Egjipt përmes kalimit kufitar Rafah, raporton Anadolu.

Drejtori për media i pikës kufitare Rafah, Wael Abu Mohsen, për Anadolu konfirmoi se “rreth 110 mbajtës të pasaportave të huaja u larguan nga Rripi i Gazës”.

Abu Mohsen tha se gjithashtu 17 ambulanca që transportonin palestinezë të plagosur nga sulmet izraelite kanë kaluar terminalin në Egjipt.

Ai po ashtu njoftoi se sot 20 kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare u zhvendosën në Gaza përmes pikës kufitare Rafah, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kamionëve me ndihma në një javë në 237.

Që herët në mëngjes, dhjetëra të huaj dhe palestinezë me shtetësi të dyfishtë janë mbledhur në anën palestineze të pikës kufitare Rafah për t’u larguar nga Rripi i Gazës, enklavë e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore izraelite që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit.

Mediat egjiptiane transmetuan pamje të automjeteve, kamionëve dhe ambulancave që kalonin terminalin në Rafah nga Gaza në Egjipt.

Që nga fundjava e kaluar, ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës.

Më shumë se 10.300 njerëz janë vrarë në konfliktin aktual, përfshirë të paktën 8.796 palestinezë dhe mbi 1.538 izraelitë.

Baby Boo