Gashi për takimin LSDM-LVV: Është konfuze, Ahmetit i pengon Albin Kurti, LSDM-ja ka nevojë për të


Kreu i Alternativës Afrim Gashi, thotë se BDI dhe LSDM nuk po arrijnë të dakordohen nëse Vetëvendosje dhe kreu i saj Albin Kurti janë të rëndësishëm për politikbërjen në Maqedoni. Kështu Gashi e komentoi takimin në Prishtinë të sekretarit gjeneral të LSDM-së Mile Zeçeviq dhe sekretarit organizativ të Vetëvendosjes Alim Rama. Gashi thotë se për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, Albin Kurti është i mirë vetëm kur është në interes të BDI-së.

Vërtetë është konfuze. Si duket kanë problem me BDI-në ata, nuk po meren vesh. Se Ali Ahmetit i pengon Albin Kurti. LSDM-ja paska nevojë për Albin Kurtin dhe Vetvendosjen. Mendoj se duhet t’i sqarojnë këto dilema ata se cili është roli i Vetëvendosjes në Maqedoni, pozitiv apo negativ. Kur t’i sqarojnë këto dilema, mendoj se duhet të dalin në publik”, tha Afrim Gashi, Alternativa.

Sipas Gashit, as krerët nga Tirana e as ata nga Prishtina, asnjëherë nuk ndërhyjnë në atë se çfarë vendime duhet të marrin partitë politike në Maqedoni, veçanërisht tani kur një vendim të rëndësishëm duhet ta merr Aleanca për Shqiptarët.

Ndërkohë nga LSDM dhe Vetëvendosje nuk zbuluan detaje nëse në atë takim në Prishtinë është biseduar për aktualitetin politik në Maqedoni, por njoftuan vetëm se kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy partive si anëtare të përbashkëta të platformës socialdemokrate.

Nga ana tjetër nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mendojnë kështu. Ata përfshirjen e Vetëvendosjes në koalicionin opozitar e konsiderojnë si përzierje në çështjet e brendshme në Maqedoni. Megjithatë nuk presin ndonjë ndikim në zgjedhjet e 8 majit.

Përpjekje për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrje ka pasur edhe më herët nga kandidati për President, i cili më pas ishte ministër i Qeverisë së Kosovës, përmes pjesëmarrjes së eksponentëve të lartë në tubimet parazgjedhore dhe mitingje dhe është treguar se skena politike e shqiptarëve në RMV është konsoliduar. Nuk pres, siç nuk pati ndikuar më herët të ndikojë në ndonjë mënyrë edhe tani”, pohoi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Përndryshe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Maqedoni ishte prezent edhe verën e vitit të kaluar kur mori pjesë në inaugurimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair dhe inaugurimin e rrugës Sellcë–Vicë në Tetovë.

Baby Boo