Gardhi Serbi-Maqedoni, populizëm apo masë efikase për ndalimin e migrantëve?


Organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut, të cilat ndjekin zhvillimet me migrantët nga vendet e përfshira nga lufta në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, thonë se gardhi me tela gjemborë që së fundmi po e ndërton Serbia në kufirin me Maqedoninë e Veriut për të pamundësuar kalimet e paligjshme të kufirit nga ana e migrantëve, në asnjë mënyrë nuk do të mund të ndalë lëvizjen e tyre.

Ndryshe, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e shteteve që përbëjnë të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, përmes së cilave migrantët synojnë të arrijnë deri në destinacion, shtet të Bashkimit Evropian.
Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS, thekson se ngritja e gardheve gjemborë përgjatë vijave kufitare ka dëshmuar se nuk mund të parandalojë lëvizjen e migrantëve nga një shtet në tjetrin.

Rexhepi bën të ditur se aktivistët e organizatës që drejton kanë vërejtur në teren se në gjysmën e parë të këtij viti është shënuar rritje e numrit të migrantëve krahasuar me vitin e kaluar.
Ai thekson se ndërtimi i gardheve gjembor në esencë ka prapavijë ideologjike sesa në fakt që mund të ndihmojë në pengimin e lëvizjeve ilegale të migrantëve.
“Mendoj se ndërtimi i gardheve me gjemba bëhet për arsye ideologjike, si dhe demonstrim të popullzimit dhe forcës së pushtetit. Kur Hungaria ngriti gardhin gjembor drejt Kroacisë dhe Serbisë, në krye të shtetit ishte Orbani, kur u ndërtua i njëjti gardh në Maqedoninë e Veriut, përgjatë kufirit me Greqinë, në krye të shtetit ishte Gruevski, e tani në Serbi e dimë se si janë gjërat dhe pse bëhen ato gardhe kufitare” .

“E dimë se rrugët përmes të cilave lëvizin migrantët zhvillohen përmes shtigjeve malore gjë që e vështirëson kontrollin në viset e tilla dhe gardhet gjemborë në fakt do të thosha se nuk kanë asnjë rol në parandalimin e lëvizjeve ilegale të migrantëve”, thotë Jasmin Rexhepi.
Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet ish-ministri i Punëve të Brendshme Pavle Trajanov, sipas të cilit “ndërtimi i gardheve gjemborë përgjatë vijave kufitare në masë të konsiderueshme arrin të bllokojë fluksin e lëvizjeve ilegale të migrantëve”.

Trajanov shprehet i prerë se ndërtimi i gardheve me tela konsiderohet si një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur kufijtë shtetëror nga fluksi i lëvizjeve të paligjshme të migrantëve.
“Ndërtimi i gardheve me tela gjemborë paraqet një nga mënyrat për t’u mbrojtur shteti nga kalimet ilegale, sepse këto tela në vende të caktuara janë të pajisura me senzorë dhe njëkohësisht bëhet më lehtë edhe kontrolli i kufirit nga ana e policisë kufitare, kur kemi një gardh të këtillë”, thotë Trajanov.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë dhënë asnjë sqarim nëse ka ndonjë lloj koordinimi në aktivitetin e Serbisë gjatë ngritjes së gardhit gjembor përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Në këtë drejtim, Trajanov thotë se Maqedonia e Veriut nuk ka arsye për t’iu hidhëruar Serbisë pasi kohë më parë ajo ndërtoi një gardh të tillë në pjesën jugore të shtetit, përgjatë vijës kufitare me Greqinë.
Trajanov thotë se nuk ka rrezik që migrantët të mbeten të bllokuar në Maqedoninë e Veriut, për shkak të gardhit që po e ndërton Serbia.

“Çdo shtet është përgjegjës që të mbrojë kufijtë, nëse organet e sigurisë e kryejnë punën si duhet, nuk duhet të kemi frikë nga ngecja e migrantëve në vendin tonë sepse ata duhet të ndalohen në çdo tentim për të hyrë në vend”, thotë Trajanov.

Ndryshe, me lehtësimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është rritur dhe numri i migrantëve që kalojnë transit përgjatë territorit të Maqedonisë së Veriut.

Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, policia maqedonase ka ndaluar rreth 3700 raste të kalimeve ilegale që është dyfish më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë korrikut të këtij viti janë zbuluar 12 raste në përpjekje të trafikimit të 567 migrantëve.

Në bazë të të dhënave nga agjencia kufitare e BE-së Frontex , në përpjekje për të hyrë në Bashkimin Evropian përmes vendeve ballkanike janë ndaluar 11 mijë e 300 migrantë, që është për 80 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Por, ky numër është shumë më i ulët nga periudha e krizës së migrantëve gjatë vitit 2015 dhe 2016 kur qindra migrantë brenda ditës kalonin përmes Rrugës Ballkanike, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Baby Boo