Ganiu uron fillimin e vitit shkollor dhe bën apel për respektimin e masave


Nuk ka më mirë se të dëgjosh zërin dhe të shohësh buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve. Sot kur filloi viti shkollor 2021/2022 me prezencë fizike për të gjithë nxënësit e shkollave fillore e të mesme, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ishte në mesin e fëmijëve të shkollës fillore komunale “Tefejuz”.

Për herë të parë në bankat shkollore nëpër shkollat e Komunës së Çairit u ulën 919 fëmijë. Kreu i Çairit, Ganiu me drejtorin e “Tefejuzit”, Salajdin Zekir dhe me ish-arsimtarin e Edukatës fizike, Ali Sadetin-Setko, morën pjesë në pranimin e nxënësve të klasës së parë në këtë shkollë dhe dëgjuan së bashku zilen e parë për këta të vegjël. I gjithë procesi filloi sipas protokolleve të parapara nga ministritë përkatëse dhe autoritetet shëndetësore.

Edhe të gjitha shkollat tjera të Komunës së Çairit shënuan një fillim-vit të suksesshëm, si rezultat edhe i përgatitjeve të shumta që ishin bërë nga Komuna dhe shkollat gjatë gjithë periudhës së kaluar që fëmijët të jenë sa më të sigurt në bankat shkollore duke parandaluar njëkohësisht edhe përhapjen e virusit Kovid -19.

“Të gjithë nxënësve që u ulën për herë të parë sot në bankat shkollore dhe atyre që iu rikthyen të njëjtave pas një pauze të gjatë për shkaqe pandemie, ju uroj shumë sukses, sepse vetëm drita e diturisë është ajo që përpara mund të na shpije”, ka thënë me këtë rast Ganiu.
Ai njëkohësisht ka bërë thirrje që bashkërisht t’i respektojmë masat e parapara për parandalimin e përhapjes së pandemisë, sepse vetëm në këtë mënyrë shkollat do t’i kenë dyert e hapura pa ndërprerë.

Baby Boo