Fund horrorit në Siri? Perëndimi kërkon të anashkalojë veton ruse në OKB


Kombet e Perëndimit duan t’i japin fund paralizës disamujorshe në Kombet e Bashkuara mbi Sirinë, duke e referuar çështjen e përdorimit të armëve kimike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku vetoja që aplikohet në Këshillin e Sigurimit nuk “pi më ujë”

Ideja është që të ndiqet një rrugë e rrallë, e përdorur për herë të parë gjatë Luftës së Ftohtë, për të transferuar përgjegjësinë e aspekteve të krizës në Asamblenë e Përgjithshme 193 anëtarëshe.

Rusia ka shfrytëzuar veton në Këshillin e Sigurimit plot 11 herë, për të bllokuar çdo aksion të mundshëm që shënjestron aleatin e saj, Sirinë.

Mekanizmi i OKB-së për të atribuuar përgjegjësinë e përdorimit të armëve kimike u ezaurua në nëntor, kur Rusia vendosi veton ndaj një rezolute për zgjatjen e mandatit të tij, duke u ankuar se mekanizmi ishte paragjykues kundër qeverisë siriane.

“Vetoja ruse duhet të jetë fundi i përpjekjeve për një veprim të përbashkët nga OKB-ja. Përgjegjësia e kërkimit të llogaridhënies për përdorimin e armëve kimike dhe për t’i dhënë fund horrorit të konfliktit sirian, qëndron si një e tërë për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”, thotë Ian Martin, një ish-zyrtar i OKB-së dhe shef i “Amnesty International”.

Propozimi dihet që ka mbështetjen e zyrtarëve perëndimorë. Shqetësimi i të qenit në një rrugë pa krye është ngritur në një mbledhje me dyer të mbyllura gjatë fundjavës, ku morën pjesë ambasadorët e Këshillit të Sigurimit në Suedi, e tashmë pritet të diskutohet më tej në një seri takimesh të kësaj jave.

Fuqitë perëndimore kanë frikë se mungesa e një mekanizmi atribuues, jo vetëm që i jep Sirisë një gamë të gjerë e të lirë përdorimi armësh kimike, por i jep edhe një goditje të rëndë rendit botëror.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e madhe kryen një sulm ajror mbi fabrikat e prodhimit të armëve kimike 10 ditë më parë, në kundërpërgjigje të akuzave se qeveria siriane ka përdorur armë kimike në sulmin mbi qytetin Douma, më 7 prill.

Inspektorët nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) ndodhen në Douma, por, pavarësisht nga ajo çfarë gjejnë atë, kjo organizatë nuk ka tagrin për të atribuuar përgjegjësinë.

Top Channel

Baby Boo