Franca dhe Holanda sërish mund të bllokojnë hapjen e negociatave


Edhe përkundër mbështetjes së madhe të shumë shteteve të Bashkimit Evropian (BE) për fillimin e negociatave të vendit tonë, në Francë, Holandë dhe në disa vende tjera ende ekziston rezistenca në këtë proces, ka deklaruar për MIA, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, pas mëngjesit të punës në Bruksel, në të cilin kanë marrë pjesë edhe zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

I pyetur nëse ende Parisi dhe Haga tregojnë rezistencë për fillimin e bisedimeve, Sijarto tha: “Po, po, ka rezistencë të madhe nga miqtë evropian të Perëndimit, ata nuk janë aq të ndjeshëm pasi që janë më larg rajonit”.

Megjithatë, Hungaria, sipas Sijartos, vlerëson se në qershor patjetër duhet që të miratohet vendimi për negociatat me BE-në dhe se vendi gjatë shkurtit ka dërguar “diplomat me përvojë që të punojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut”.

“Ai është atje që të ndihmojë për procedurat e integrimit dhe çfarëdo që t’i nevojitet Maqedonisë së Veriut që të përshpejtohen procedurat, ne jemi këtu përgjithmonë”, thotë Sijarto.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Bllok, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në mëngjesin e punës, ka deklaruar se vendi i tij është i fokusuar në atë që Maqedonia e Veriut të tregojë rezultate në reforma.

“Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të avancohet, Holanda është e drejtë dhe e ashpër në lidhje me kushtet dhe mendojmë se me rëndësi të madhe është që Maqedonia e Veriut të tregojë rezultate të qarta, veçmas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, japim mirënjohje për zgjidhjen e kontestit të emrit, por ajo nuk e bën më pak të rëndësishëm edhe procesin e tregimit të zhvillimit në fushat tjera”, tha Bllok.

Përveç miratimit të reformave, vendet anëtare duan të shohin edhe zbatimin e të njëjtave, ka rikujtuar ministri belg, Didie Rejnders. Megjithatë, Belgjika nuk është në mesin e vendeve më skeptike si Franca dhe Holanda dhe vlerëson se dyert mbeten të hapura, në NATO dhe BE.

Baby Boo