Fqinji vret 33-vjeçarin pas sherrit për parkimin e makinës, detaje nga ngjarja e rëndë në Shkodër


Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë Shkodrën. Valter Fierza, 33 vjeç u vra nga një fqinj i tij. Vrasja ndodhi në fshatin Hot i Ri të njësisë Rrethina rreth orës 22:0 të së enjtes. Viktima u qëllua me automatik kallashnikov nga një person tashmë i identifikuar nga policia vendore e Shkodrës dhe i shpallur në kërkim. I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes, Klodian Mhilli. Këta dy persona kanë debatuar me njëri-tjetrin për një parkimin e një automjeti në arë.

Fillimisht debati ka nisur në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar. Pas debatit autori, që është edhe komshi me 33-vjeçarin ka marrë armë automatik kallashnikov dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë, pas të shtënave disa herë, kanë dalë familjarët e viktimës, të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij. Pas vrasjes autori i dyshuar është larguar në drejtim të paditur. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e vrasjes bashkë me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Ervin Hodaj. Pas informacioneve të siguruara nga vëllai i viktimës Kolë Fierza dhe banorëve të tjerë është arritur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohet autori i cili u shpall në kërkim.

Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi vrasja për të bërë të mundur gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar. Po ashtu në pika të ndryshme janë ngritur grupe kontrolli për të mos lejuar që autori të largohet. Shtetasi Valter Fierza që mbeti i vrarë mësohet se bënte një jetë të qetë dhe nuk njihej si person problematik në atë lagje. Viktima dhe autori i dyshuar janë komshinj prej shumë vitesh dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Debati mes vëllait të viktimës dhe autorit ka qenë i çastit dhe sipas informacioneve të deri tanishme më përpara palët nuk kanë pasur ndonjë debat apo konflikt në të kaluarën. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

Baby Boo