Formatimi i qeverisë, në radhë edhe zv.ministrat e drejtorët


Pas rikonstruimit të ministrave, partnerët e koalicionit pritet që negociatat t’i fillojnë për ndryshime në eshalonin e dytë dhe të tretë. Nga Qeveria thonë se bisedimet do të vazhdojnë menjëherë pas votimit të kabinetit të ri Qeveritar. Nga BDI konfirmojnë se me LSDM-në janë zhvilluar negociata për ndërrimin e drejtorive, por nuk potencojnë institucione konkrete.

Është diskutuar për një këmbim drejtorish mes dy partive më të mëdha bartëse të koalicionit qeverisës, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Do të shohim ndikimin e ndryshimeve në eshalonin e parë dhe më pas do të vendosim, gjë që pritet të ndodhë shumë shpejtë”-pohoi Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Në kuadër të këmbimeve, mësohet që BDI ka heq dorë nga MEPSO dhe ELEM, ndërsa në lojë mbeten këmbimi i Byrosë për Furnizime Publike, Drejtoria “Rrugët e Maqedonisë” dhe “Hekurudhat e Maqedonisë”. Jo zyrtarisht BDI kërkon Agjencinë për Inovacione dhe Inspektoratin e Tregut. RDK-ja e Vesel Memedit mbetet në qëndrimin që kryeministri Zaev të tërheq propozimin për marrjen e dikasterit të Pushtetit Lokal. Nga kjo parti bëjnë të ditur se të mërkurën do të dalin me qëndrim konkret, kur edhe pritet në seancë plenare të votohet kabineti qeveritar. Opozita shqiptare nga ana tjetër dyshon në potencialin e emrave të propozuar. Aleanca për Shqiptarët pretendon se propozimet e reja nuk janë gjë tjetër përpos plotësim i vendeve të vakante dhe se sipas tyre, paaftësia e kryeministrit për të ndryshuar kabinetin qeveritar dëshmon nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Lëvizjes Besa rikonstruimi dëshmon paaftësinë e partnerëve të koalicionit për të ndryshuar kahjen e gabuar që ka marr kjo Qeveri. Me ndryshimet e fundit, vet kryeministri Zaev do të drejtojë Ministrinë e Financave, ndërsa ministri i deritanishëm Tevdovski do të jetë këshilltar i Zaevit. Ministër i Bujqësisë do të jetë Trajan Dimkovski, për ministër të Pushtetit Lokal është propozuar Goran Milevskin, ministër i Kulturës, Hysni Ismaili, ministër i Ekologjisë, Naser Nuredini dhe ministër për Sistem Politik, Sadulla Duraku.

Baby Boo