Flet shoqata rinia “Reçani” që akuzohet nga BFI-ja!


Komunikatë për opinionin nga kryesia e shoqatës rinia “Reçani”

Përmes kësaj komunikate e njoftojmë opinionin e gjërë se shoqata e fshatit Reçan e cila është themeluar në diasporë, e që ka për qëllim të kontribuojë në mbështetjen financiare të rasteve sociale në fshatin tonë dhe më gjërë, si dhe përkrahjen e aktiviteteve të ndryshme me karakter human dhe social, është organizim vullnetar i aktivistëve dhe entuziastëve të këtij fshati të cilët veprojnë dhe punojnë në diasporë, të cilët objektiv kryesor të vetin kanë forcimin e lidhjeve me vendlindjen dhe mbështetjen e aktiviteteve pozitive në vendlindje. Me këtë rast, statuti i shoqatës obligon që këto mbështetje, apriori, të realizohen nga ndihmat dhe kontributet vullnetare të anëtarëve të saj, si dhe, nga donacionet e bëmirësve të ndryshëm. Për të qenë më të saktë, as statuti, po as synimi i anëtarëve të shoqatës, nuk është që të preken burimet financiare të karakterit fetar, siç është zeqati dhe sadekatul fitri, për të mbuluar projektet dhe aktivitetet e shoqatës. Zeqati dhe fitrat janë obligime fetare që e detyrojnë çdo musliman si individ që t’i kryej, dhe ne as që kemi mandat, dhe as që synojmë, që të shërbehemi me këto burime për të sponzoruar apo mbështetur aktivitetet tona. Mirëpo, në të njejtën kohë, ne as që kemi mandat dhe as kompetenca që t’i detyrojmë, apo më mirë thënë, t’ua imponojmë njerëzve destinacionin ku duhet t’i drejtojnë këto mjete. Ngelim në qëndrimin se çdo musliman në mënyrë individuale vendos për atë se ku do ta destinojë këtë kontribut financiar me karakter fetar. Së këtejmi, besojmë se myftiu i nderuar i Gostivarit, do të reflektojë, dhe nuk do të hedh akuza pa fakte në adresë të shoqatës tonë, për shkak të rezultateve të dobëta në tubimin e këtyre kontributeve financiare me karakter fetar në vendlindje, qoftë në fshatin Reçan apo në vendet tjera. Thënë më shkurtë e qartë, i nderuari mufti, shoqata jonë:

1.Është themeluar dhe vepron në diasporë, dhe tubimin e ndihmave vulnetare e bën nga anëtarët e saj në diasporë, e jo në vendlindje, edhe pse në kryesi kemi edhe anëtarë që veprojnë në vendlindje. Këtë e bëjmë për shkaqe patriotike, që të tregojmë se ne jemi një, qofshim në vendlindje apo në diasporë. Për atë, mos ndoshta gabimisht jeni të informuar për shoqatën tonë? Nuk e dimë a është kjo e saktë, por do të donim që të ishte ashtu, ngase në të kundërtën, reagimi juaj ndaj nesh, len shumë për të dëshiruar, dhe nuk i ka hije një personi që mban pozitë zyrtare në një organ të BFI-së, siç është Muftinia e Gostivarit.

2.Statuti i shoqatës nuk len hapësirë për ta shtrirë aktivitetin në drejtim të tubimit të mjeteve financiare, në mënyrë të organizuar dhe sistemuar, në ato fonde që konsiderohen me karakter fetar. Shpresojmë që ta kishit lexuar statutin e shoqatës, para se të reagonit në mënyrë jo adekuate ndaj nesh.

3.Fitrat dhe zeqatin në vendlindje, nuk e tubojmë ne dhe nuk ndjehemi përgjegjës për diçka të tillë, por ajo i takon këshillit të xhamisë dhe organeve tjera përkatëse në vendlindje. Megjithatë, ne ngelemi me bindje se jeni harlisur kur na keni sulmuar aq ashpër për rezultatet e dobëta të tubimit të fitrave dhe zeqatit, ngase ne nuk e kemi shpikur as fb, as yuou tube, as instagramin, dhe as mënyrat bashkëkohore të transferimit të parave. Me këtë duam të themi se sot njerëzit, i nderuari mufti, nuk jetojnë si para 20 apo 30 vitesh, por vetë shohin dhe i ndjekin zhvillimet, dhe prej dhomës së gjumit mund t’i transferojnë parat e fitrave dhe zeqatit në palën ku ata mendojnë se meriton ta japin. Për këtë, ju sugjerojmë që mos sulmoni me logjikë diktati para 20 apo 30 vitesh, se gjërat kanë ndryshuar shumë, e ne nuk kemi pse të mos besojmë se edhe ju këtë duhet ta dini.

I nderuari mufti, nëse shumica e banorëve të fshtatit Reçan kanë vendosur që ftirat t’ua japin rasteve sociale, nuk është korrekte të na akuzoni neve, ngase ata vendosin vetë për obligimin e tyre fetar financiar se ku do ta destinojnë. Nëse kanë gabuar sipas jush, ju mos na sulmoni neve, por me fakte dhe argumente, nëse keni fakte të tilla, dokumentonu atyre se kanë gabuar fetarisht. Por, nuk jemi shumë të sigurtë nëse këtë mund ta bëni.

Në përgjithësi, për rezultate të dobëta në drejtim të tubimit të këtyre mjeteve, nëse vërtet ka tendenca të tilla, ju pyesim: a keni bërë analiza objektive? Pra, jo ta amnistoni veten, apo t’i bëni qejf vetes, por a keni bërë vërtet analiza që përfshinë shkaqet dhe faktorët që çojnë në rezultate të këtilla, nëse vërtet janë të dobëta? I nderuari mufty, a i keni parasyshë videot e ndryshme që qarkullojnë në rrjetet sociale, dhe që janë diskredituese për instiucinon fetar islam në Maqedoninë e Veriut? A keni patur guxim t’i thoni kreut tuaj se me këto veprime dëmtohet imazhi i institucionit, dhe kjo reflekton edhe në tubimin e fitrave dhe zeqatit? A keni dhënë raport vjetor për ata të cilëve ua kërkoni fitrat dhe zeqatin se ku kanë shkuar parat e tyre dhe çka është bërë me to? Ju lutem, ne nuk e dimë, a mund të na tregoni, ku mund t’i gjejmë këto raporte? Në cilën web faqe? Prej cilit vit ekzistojnë këto raporte? Nuk kemi për qëllim raportet brenda institucionit të cilat kalojnë “pa vërejtje”, por për raportet për xhematin të cilit ia kërkoni këto mjete? Edhe ne kemi të drejtë ta kërkojmë këtë, ngase edhe ne paguajmë anëtarësi në xhaminë e fshatit në vendlindje dhe jemi anëtarë të bashkësisë islame, dhe për rrjedhojë kemi të drejtë të kërkojmë edhe llogari. Kështu vepron bota e civilizuar.

Këto dhe shumë pyetje tjera parashtrohen çdo ditë, jo vetëm nga ne, por edhe nga shumë tjerë, e ju si duket, bëheni kinse nuk i dëgjoni dhe kinse nuk ka ndodhur asgjë.

Ne ngelemi me shpresë se do të reflektoni pozitivisht dhe në vend se të merreni me akuza dhe sulme të pa baza, do të merreni me detektimin e shkaqeve dhe faktorëve real të ngecjeve të jetës fetare në shumë plane. Njerëzit vinë e shkojnë, ndërkaq institucionet mbesin, bile edhe nëse disa rrinë ulur në fotele më tepër se Gadafi dhe Mubaraku.

Jetojmë në kohë tjera, ku më nuk mund të bëhen punët me diktate nga zyret e “pogllavarve”, ngase këto forma veprimi nuk kalojnë në këtë kohë dhe për këto gjenerata të cilat janë kritike dhe nuk janë mësuar që vetëm të bëjnë “Amin”. Jo, aminxhit kanë përfunduar, edhe pse e dimë se disave nuk u konvenon.

me respekt, kryesia e shoqatës rinia “Reçani”

Baby Boo