Flet hoxha i Mitrovicës, sqaron pse e përdori fjalën shtazë


Imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifaj, për të cilin mediat deklaruan se kishte thënë ‘kush pi alkool është kafshë’ thotë se po tentohet të diskriminohet autoriteti dhe i tërë aktiviteti i tij, si në xhami ashtu edhe jashtë saj.

Ai deklarohet se nuk lëviz asnjë milimetër nga fjalët që ka thënë, por jo të deformuara dhe të nxjerra jashtë kontekstit të fjalisë, ndërsa ka bërë thirrje të gjithëve që ta dëgjojnë me vëmendje ligjëratën e tij të së premtes.

Sipas Latifajt, të gjitha aktivitetet e tij janë në frymën patriotike, kombëtare dhe fetare, andaj, shpifjet siç i quan ai, nuk ia ka pasur borxh askujt.

Megjithatë, ai nuk e hedh poshtë se alkooli është i ndaluar me islam.

“Ai i cili pi rakinë apo birrën dhe dehet, e dehura pastaj ndikon që sjellja e tij të jetë më e ulët se sa e shtazës, kështu kam thënë”, sqaron Latifaj.

Derisa bën thirrje për ndaljen e tendencës për linçim ndaj tij, Fatmir Latifaj ka potencuar se do të bëj padi tek siç thotë ai “Allahu kundër të gjithë atyre të cilët po tentojnë ta diskriminojnë autoritetin e tij”.

“Bëj thirrje të gjitha mediave që t’i ndalin linçimet kundër meje, për shkak se nuk jam i asaj natyre, përkundrazi, jam dorë e djathtë e interesit kombëtar shqiptar, si para luftës, gjatë dhe pas saj, me të gjitha aktivitetet e mia të bamirësisë, në frymën patriotike kombëtare dhe fetare. Prandaj, të merret fjalia, të deformohet dhe të nxirret nga konteksti, këtë nuk ia kam borxh askujt. Padinë do ta bëj tek Allahu, Allahu le të merret me ta, mirëpo kam obligim ta mbroj autoritetin dhe imazhin tim sepse është e drejtë e imja parësore. Ai i cili i thotë bukës bukë, ujit ujë dhe kupton shqip, ne ta dëgjojë me vëmendje hytben, sepse nuk ka askush ta ndjejë veten fajtor. Vërtetë veprimet e një të dehuri nuk i bën as shtaza”, ka thënë Latifaj.

Deklarimin e bërë, shkruan kosovapress, ai nuk e sheh si fyerje për askënd, madje ka përmendur alkoolin edhe si një prej shkaktarëve të mundshëm të aksidenteve të trafikut me fatalitet, që kanë ndodhur kohët e fundit në vend.

“Atë të cilën e kam thënë në xhumanë e fundit më 20 korrik 2018, asaj i qëndroj prapa, për shkak se unë nuk kam fyer apo linçuar askënd, dhe thërras të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia shqiptare që ta dëgjojnë me vëmendje sepse unë kam thënë se ai i cili pi rakinë apo birrën, që janë pije alkoolike, dhe dehet, ai pastaj e dehura e saj ndikon që sjellja e tij të jetë më e ulët se sa e shtazës. Këtë e kanë thënë edhe fjalët e Zotit, porositë e Muhamedit. Këtë e dëshmon edhe vet realiteti në vazhdimësi. A ka realitet më të dhimbshëm sot se sa fakti që për më pak se shtatë muaj në Kosovë kemi mbi 60 aksidente me fatalitet, mos të përmendim rastet e të lënduarve, e që ndër shkaqet kryesore është edhe përdorimi i alkoolit. Në asnjë rrethanë unë nuk e fyej popullin tim”, u shpreh ai.

Duke folur për qenien njerëzore, ai tha se krijuesi e ka lartësuar njeriun duke e pajisur me intelektin, në bazë të të cilit dallohet nga të gjitha gjallesat tjera që ekzistojnë.

Latifaj ka përsëritur, se ligjërata e tij, apelon në vetëdijesimin e njerëzve ndaj një dukurie dhe në asnjë mënyrë nuk fyen dhe as nuk linçon askënd. /Telegrafi