Flet biznesmeni nga Saranda për incidentin në restorant: U përleshëm! Polici i’a drejtoi djalit pistoletën në kokë para syve të nënës (video)


Biznesmeni nga Saranda, pronari i restorant “Peshkatarit” në Sarandë ka folur për herë të parë duke sqaruar me detaje lidhur me atë që ka ndodhur të dielën në mesnatë në lokalin e tij.

Fillimisht ishte kryeministri Sali Berisha ai i cili denoncoi, referuar qytetarit dixhital, duke shkruar se drejtori i hetimit Tatimor Bardhyl Tafa ka shkuar te “Peshkatari” bashkë me disa shokë të tij, nuk morën kupon tatimor pasi darkuan aty dhe më pas i kanë bërë presion pronarit duke i kërkuar 5 milionë lekë.

Por sipas vetë pronarit, ngjarja nuk lidhet as me drejtorinë e Hetimit Tatimor Jugor dhe as me krimin Ekonomik por me disa policë të cilët kishin shkuar në lokalin e tij për të drekuar dhe më pas ishin rikthyer në darkë pas një debati me djalin e pronarit, për faktin se në faturë ishte shtuar një salcë tepër.

Ngjarja ka agravuar deri në përleshje fizike e madje një nga policët i ka vënë djalit pistoletën në kokë para syve të të ëmës.

Gazetarja: I keni lexuar ato që shkruhen në portale?

Pronari i restorantit: I kam lexuar ato portale, në disa kam komentuar. S’është ashtu e vërteta, ata mbase e përdorin për qëllime të tjera. E vërteta është se këtu kanë qenë tre persona të policisë centrale për pushime a nuk e di për cfarë ishin, kanë debatuar me djalin tim.

Gazetarja : Pse ishin në lokalin tënd?

Pronari i restorantit: Erdhën për të drekuar pastaj erdhën prapë në darkë për t’i bërë presion djalit e në kupon i ishte shtuar një racion salcë më tepër. Djali e sqaroi, e heqim nga fatura. Ai jo është korrupsion… U cudita sot kur lexova drejtori i hetimit tatimor, a dicka e tillë…. Bardhyl Tafa si e kishte..

Gazetarja: Ka qenë këtu…

Pronari: S’ka qenë këtu, unë as e njoh fare. Kontrollin e fundit nga tatimet e kam patur para 15 ditësh, ka rezultuar shumë mirë. Ky lajmi është i gënjeshtërt, nuk e di pse përdoret, ajo që ndodhi këtu mund t’i ndodhte kujdo.

Gazetarja: Personat e policisë kanë ardhur kanë kërkuar lekë nga dreka në darkë?

Pronari: Për policët ne kemi bërë kallëzim në prokurori, s’ka lidhje me këto gjërat e tjera.

Gazetarja: Ata u prezantuan te ju?

Pronari: Ata ishin me shapka me brekë plazhi, unë u kërkova të identifikoheshin..

Gazetarja: Si u prezantuan?

Pronari: U prezantuan shumë vonë sikur ishin krimi ekonomik, mora në telefon grupin e gatshëm. Jemi përleshur këtu se donin ta merrnin djalin me forcë, policia erdhi shumë shpejt pastaj, këtu ishte plot restoranti. Ai i nxori pistoletën ia drejtoi djalit në kokë, dhe i ka thënë ta marr jetën para syve të nënës. Ishte shumë agresiv njëri nga ata.

Gazetarja: Emër s’more vesh?

Pronari: Po i dinë ata në polici.

Baby Boo