Flasin ekspertët në Kosovë se sa janë të sigurta produktet ushqimore – Ja çfarë thonë


Shëndeti i qytetarëve lidhet ngushtë edhe me ushqimin që e konsumojnë. Nuk janë të rralla rastet kur inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, por edhe inspektorët komunalë, nëpër markete dhe lokale të ndryshme të ushqimit konfiskojnë artikuj me afat të skaduar. Prandaj, shtrohet pyetja sesa janë të sigurta produktet ushqimore që i konsumojnë qytetarët në vendin tonë?

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se punojnë në të gjithë zinxhirin ushqimor që produktet të cilat blihen për konsum të jenë të shëndetshme, kurse kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, vlerëson se në Kosovë ka mungesë të inspektorëve për mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimit.

Zyrtari për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi ka thënë se AUV në Kosovë, punon në të gjithë zinxhirin ushqimor që produktet të cilat blihen për konsum të jenë të shëndetshme. Ai tha se të gjitha veprimet që AUV ndërmerr janë të rregulluara me ligje dhe të obligueshme si autoritet në implementim. Vetëm ushqimet të cilat plotësojnë kriteret ligjore të sigurisë, sipas Thaçit lejohen në treg.

“Ushqimi i sigurt nuk ka alternativë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë punon në të gjithë zinxhirin ushqimorë që produktet të cilat blihen për konsum të jenë të shëndetshme. Është një fushë e gjerë komplekse, e cila kërkon vigjilencë në mbikëqyrje, profesionalizëm në kontrolle dhe shkencë në analiza, që të arrihet efekti ‘të quajturit ushqim i kontrolluar’. Të gjitha veprimet që AUV ndërmerr janë të rregulluara me ligje dhe të obligueshme për ne si autoritet në implementim. Vetëm ushqimet të cilat i plotësojnë kriteret ligjore të sigurisë lejohen të qarkullojnë në treg”, u shpreh ai.

Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Nga muaji janar e deri më sot, sipas Thaçit, janë asgjësuar 75,675 kg mish dhe produkte mishi si dhe 147,197 kg/lit. qumësht dhe produkte të qumështit, statistikë kjo nga sektori veterinar. Ndërsa, nga sektori Fitosanitar gjatë këtij viti, sipas tij, janë asgjësuar 127,407.00 kg ushqime.

“Kryesisht produkte me prejardhje bimore si: produkte ushqimore, pemë, të ndryshme etj. dhe 21,530.00 litra pije të gazuara”, tha ai. Thaçi po ashtu foli edhe për importin e produkteve ushqimore që vinë nga vendet tjera në Kosovë.

“Të gjitha produktet ushqimore dhe jo ushqimore që i nënshtrohen kontrollit të detyrueshëm nga AUV (shërbimet kufitare të AUV-së) e te cilat kalojnë në proceduara të rregullta doganore, nuk mund të lejohet importi pa kryerjen ekzaminimeve të nevojshme qoftë paraprake/gjurmueshmeria paraprake dhe vlerësimi i riskut, qoftë kontrolleve inspektuese direkte që realizohen me të arritur ngarkesa/produktet në Pika të Kontrollit Inspektuese”, u shpreh ai.

Në pikat e kontrollit Inspektuese (PIK), siç theksoi Thaçi, produktet i nënshtrohen kontrolleve inspektuese direkte: kontrollit dokumentacionit, kontrollit të identitetit dhe kontrolli fizik, duke përfshirë mostrën dhe testime laboratorike.

“Pas kryerjes të të gjitha fazave të kontrollit inspektues dhe ekzaminimeve të nevojshme laboratorike, nxjerrjes se konkluzioneve se gjithçka është në përputhshmëri me kërkesat ligjore, atëherë nxirret vendim aprovimi –lejim importi, apo në raste tjera e kundërta”.

Se nga cilat vende importohet sasi më e madhe e produkteve dhe nga cilat vende Kosova ka të drejtë importi apo eksporti, Thaçi tha se “Kjo varion nga produkti, nga viti në vit, nga sasi e prodhimit dhe konsumit vendor… Të drejtë importi, respektivisht eksporte realizohen nga prodhues nga vende të ndryshme dhe për produkte të ndryshme qoftë ushqimore dhe jo ushqimore. Importe realizohen nga vende të ndryshme/prodhues të ndryshëm për të gjitha produktet që janë në harmoni me kërkesat e legjislacionit vendor. Një produkt që është në kundërshtim me kërkesat ligjore, pa marrë parasysh vendin e origjinës, si i tillë nuk mund të pranohet të futet për qarkullim/përdorim në territorin e Republikës së Kosovës”.

E sa i përket konsumit të mishit dhe thertoreve në vend, Thaçi tha se kur kafshët theren në thertore të licencuara, nënkupton se janë të kontrolluara nga inspektorët e autorizuar për kontroll të gjendjes shëndetësore të kafshës para therjes kontrollit, gjatë dhe pas therjes.

“Pastaj edhe certifikimi i mishit (vulosja-damkosja e mishit) për lejim të shitjes në treg për konsum. Këto janë rregull procedurë, pasi kemi të bëjmë me kontroll të kafshëve para, gjatë dhe pas therjes nga ana e inspektorit veterinar. Ndërsa, në raste kur kemi të bëjmë me thertore ilegale, të cilat hasen duke ushtruar veprimtari ilegale të therjeve të kafshëve pa kurrfarë kontrolli veterinar, këtu ekziston rreziku potencial që mund të shkaktojë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Në të gjitha këto raste kur hasen bëhet mbyllja dhe iniciohet procedura për gjykatë. Në shumicën e rasteve veprohet bashkë me policinë”, u shpreh tutje Thaçi.

Ndërsa, kur flasim për mishin e shpezëve dhe produkteve të tyre, Thaçi tha se në dy vitet e fundit fermat e shpezëve janë të rrezikuara nga shpërthimi i sëmundjes infektive te shpezëve “Influenza Aviane”.

“Edhe tani kemi aktiv shtabin e krizës dhe në secilin rast të dyshuar ndërmerren të gjitha veprimet për parandalim dhe luftimin e sëmundjes. Rastet të cilat rezultojnë pozitive merren masa për asgjësim të shpezëve prezent në ferma familjare por edhe në raste të fermave komerciale. Si e vetmja masë për pengim të përhapjes”, tha ndër të tjera Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i organizatës kosovare për mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, duke folur lidhur me sigurin e ushqimit që kosumojnë qytetarët e Kosovës tha se “Konform deklarimit dhe mandatit e përkushtimit të AUVK-së mund të them se siguria e ushqimit është në raport të drejtë me nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve, përmbushjes së mandateve të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve, mekanizmave, agjencioneve, rregullatorëve… dhe shkallës së politizimit (privatizimit) të tyre”.

Mirëpo, ai tha se siguria e ushqimit varet edhe nga niveli i syçeltësisë e vigjilencës së qytetarit, familjes konsumatore: nga niveli i informimit, arsimimit, kulturës e emancipimit dhe vetëdijesimit të qytetarit për të drejtat e obligimet dhe interesat e dinjitetin e tij.

“Ky obligim (i papërmbushur) i takon Qeverisë, MINT-it dhe institucioneve, rregullatorëve, agjencioneve, tjera…”, u shpreh ai.

Por, me cilat rreziqe përballet konsumatori në konsumimin e ushqimit i cili vjen nga importi, Kaçaniku theksoi se janë shumë. “E para është mosnjohja e konsumatorit nga Qeveria as nga MINT-i. Prodhuesit jashtë Kosovës prodhojnë aq cilësi e siguri ushqimore sa Kosova ka kapacitete institutesh e laboratorësh, por edhe resurse humane, për t’i detektuar/identifikuar/konstatuar mangësitë/mashtrimet/abuzimet…. Gjatë hyrjes në kufi së tepërmi i besohet dokumentacioneve, ndërsa trajta e kontrollit të mostrës së rastësishme, që është rreth 1%, nuk është e mjaftueshme. Kontrollet/inspektimet janë të pamjaftueshme dhe, jo rrallë, janë të politizuara”.

I pyetur se a ka mjaftueshëm inspektorë Kosova për mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimit, ai tha se nuk ka. “Nuk ka as gatishmëri për t’i motivuar inspeksionet në aspektin kuadrovik, teknik dhe financiar”.

“Kontrabandimi i ushqimeve, nga jashtë dhe nga brenda, si dhe i medikamenteve po rritet. Ato janë të rrezikshme në veçanti gjatë stinës së verës. Ndaj i këshilloj qytetarët dhe familjet konsumatorë që maksimalisht ta shtojnë alertin, vigjilencën dhe syçeltësinë”, ka thënë Kaçaniku.

Baby Boo