Fjalim historik: Kosova merr fjalën për herë të parë në Këshill të Evropës (VIDEO)


E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ka thënë të martën deputetja Saranda Bogujevci. Në fjalimin e parë historik, ku Kosova përveç pjesëmarrjes ka pasur edhe të drejtën për fjalë, ajo ka thënë se Kosova është demokracia më e gjallë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë diskutimeve për perspektivën evropiane në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka marrë përkrahje edhe nga Ukraina.

Një delegacion i Kosovës për herë të parë i është drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Fjalës së deputetes Saranda Bogujevci i ka paraprirë një duartrokitje mirëseardhëse. Bogujevci në seancën plenare të Asamblesë ka rikonfirmuar se Kosova e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk kanë të ardhme tjetër, përveç asaj në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi duke u përballur me shqetësime shumë më të gjera se sa rajoni jonë. Sot jemi duke u përballur me luftën brutale, sot jemi duke u luftuar për demokraci e kështu me radhë. Sot nuk jemi duke folur vetëm për Ballkanin Perëndimor, por sot jemi duke folur për të ardhmen e Evropës. Ne si Kosovë dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor jemi Evropë dhe nuk mund të ketë të ardhme tjetër për ne përveçse të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”, ka thënë Bogujevci.

Deputetja është solidarizuar edhe me Ukrainën, duke kujtuar se vetë është një nga të mbijetuarat e masakrave të bëra në Kosovë.

“Tani pasi që kjo është hera e parë që i adresohem seancës plenare do të doja t`ju thosha kolegëve ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës, që mendimet tona, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë në çfarë jeni duke kaluar, unë vetë jam një e mbijetuar e masakrës së luftës në Kosovë. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me ju në këtë luftë dhe ne shpresojmë që kjo luftë e tmerrshme do të përfundojë së shpejti dhe që drejtësia do të mbizotërojë”, ka thënë më tej nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Bogujevci në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka marrë pjesë me deputetët Arben Gashi, Besnik Tahiri e Enis Kervan. Për Kosovën, në këtë seancë ka lobuar deputeti ukrainas, Oleksii Goncharenko.

“Në veçanti, dua të flas për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës. Për momentin, 12 shtetet, anëtare të Këshillit, nuk e kanë njohur ende. Po ju drejtohem, ju lutem ta njihni këtë Kosovën si shtet të pavarur siç luftuan ata për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre dhe duhet të ulen këtu së bashku me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë”, ka thënë ai.

Kosova hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës e ka bërë në maj të këtij viti, kur edhe ka aplikuar zyrtarisht.

Baby Boo