Filipovska: Rrezatimi nga 5G nuk është i rrezikshëm, me teknologjitë e reja bëhet përdorimi më efikas i rrjetit


Komentet negative për rrjetin 5G bazohen në injorancën dhe frikën nga e panjohura në 90 për qind, ndërsa përgjigja më e mirë për këtë është lufta kundër lajmeve të rreme, vlerësuan pjesëmarrësit në debatin “Sfidat digjitale për transformimin social”, që u mbajt sot në Shkup. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski kumtoi se Agjencia për komunikime elektronike planifikon në vjeshtë të shpallë thirrjen e parë për shprehje interesi për përdorimin e frekuencave të 5G-së, sipas Planit kombëtar operativ të broadband (PKOB).

Sipas Mançevskit, lu*fta kundër lajmeve të rreme është gjithmonë mekanizmi më efektiv për të krijuar pasqyrë të vërtetë të teknologjive të reja. Sonja Filipovska, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike (FSHIK) në Shkup, theksoi se teknologjitë e reja bëjnë përdorimin më efikas të rrjetit, në fakt, siç tha ajo, 5G përdor frekuenca jo-jonizuese që nuk kanë lidhje me frekuencat që shkaktojnë kancer.
Problemi më i madh tek ato teori konspirative, shtoi ajo, është përdorimi i fjalës rrezatim.

“Kur përmendet rrezatimi, dikush e shoqëron atë me kancer, që është shumë larg nga e vërteta, sepse 5G, përdor frekuenca që janë jo-jonizuese dhe që nuk janë të lidhura fare me frekuencat që shkaktojnë kancer. Të gjitha problemet rreth shëndetit, 5G dhe përvoja e keqe në mbi 90 për qind bazohen në injorancë dhe frikë nga e panjohura dhe e reja”, vlerësoi Filipovska.

Në fund të prillit të këtij viti, operatorët vendas, ndërmarrjet e huaja të interesuara dhe qytetarët paraqitën opinione dhe vërejtje pranë AKE-së në lidhje me lëshimin e planifikuar të miratimeve për përdorimin e radio frekuencave për teknologjinë 5G. Këto mendime duhet të zbatohen siç duhet në procedurën ligjore, të parashikuar në përputhje me Ligjin për komunikime elektronike (LKE) për dhënien e këtyre radio frekuencave. Në debatin e sotëm u prezantuan aktivitetet e mëparshme për digjitalizim në sektorin publik dhe u theksua nevoja për njohuri digjitale dhe ndryshime në programet arsimore në shkolla.

Baby Boo