Filipçe: Vaksinat janë të sigurta, VMRO: Kjo i ngjan një seriali turk


Afat i skaduar, deklaratë e vendosur gabimisht dhe dyshime për cilësinë e vaksinave kundër fruthit ishin vetëm disa nga ngjarjet e fundit në lidhje me vaksinën MRP. Ndërkohë që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë edhe njëherë deklaroi se vaksinat MRP kundër fruthit janë të sigurta dhe cilësore, duke u bërë thirrje prindërve që të respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinim.

“Njoftimi  është bërë në atë drejtim që ne si autoritet shëndetësor t’i bindim të gjithë qytetarët, prindërit e fëmijëve të vegjël se vaksinat janë cilësore dhe të mira. Procesi i vaksinimit është absolutisht i sigurtë dhe se është investim i vërtetë në shëndetin e fëmijëve”, tha Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE reaguan duke thënë se sistemi shëndetësor është në kaos dhe skandali me vaksinat është vetëm njëri prej tyre.

“Padyshim që skandali me vaksinat është një nga shumë të tjerët. Dëshmi për amatorizëm dhe paaftësi e kësaj Qeverie. Njëherë del në pah se kemi vaksina me afat të skaduar, pastaj del Filipce duke thënë se vaksinat nuk janë me afat të skaduar por kanë deklarata të gabuara. Pastaj përnjëherë del vendimi që vaksinat të shkatërrohen. Në vend që vetëm të respektoni ligjin dhe menjëherë t’i shkatërroni vaksinat e dyshimta, ju bëtë serial turk me ngjarjet ”, u shpreh Lençe Nelloska,VMRO-DPME.

Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme në Klinikën për sëmundje infektive janë pranuar edhe nëntë raste të reja të prekura nga fruthi. Nga Klinika informojnë se ky numër pritet të rritet sepse kjo është një valë e re e të prekurve. Që të pengohet përhapja e fruthit në Shkup, në të gjitha Klinikat Universitare është sjell vendim për kufizim ose ndalim të vizitave të pacientëve deri në përfundim të epidemisë. Gjithashtu nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se deri tani janë vaksinuar  4345 fëmijë me vaksinën MRP dhe se ende është në fuqi vendimi që fëmijët e pa vaksinuar të mos pranohen në çerdhe me qëllim parandalimin e përhapjes së epidemisë.

Baby Boo