Filipçe: Mësimi me prani fizike do të realizohet në shumë pak shkolla


Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, është i prerë se mësimi me prezencë fizike nuk do të lejohet në shkollat ku numri i nxënësve është i lartë, edhe nëse vet shkollat më datë 10 shtator do të kërkojnë diçka të tilla nga Ministria e Arsimit dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Filipçe thotë se me prani fizike mësimin mund ta realizojnë vetëm ato shkolla që kanë pak klasa dhe jo më shumë se 10 nxënës në çdo klasë.

Ka shkolla në vendin tonë, që kanë nga 5 deri 10 nxënës në një klasë, për klasat nga e 3-ta deri në të 4-tën dhe këtu bëjnë pjesë rreth 300 shkolla në nivel shtetëror. Megjithatë, për raste të tilla do të lejohen me aprovim të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, në rast se në atë komunë ku ndodhet shkolla situata epidemiologjike e lejon diçka të tillë – deklaroi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Si shembull, Filipçe mori kryeqytetin, ku një pjesë e mirë e shkollave kanë më shumë se 1000 nxënës. Edhe pse pak ditë më parë drejtorët e disa shkollave të mëdha thanë se janë të përgatitur që mësimin ta realizojnë me prani fizike për të gjitha klasat, disa të tjerë nuk thonë të njëjtën gjë.

Numri i përgjithshëm i nxënësve është 1020. Mësimi do të realizohet me prezencë fizike për nxënësit prej klasës së parë deri në të tretën, në dy grupe, duke respektuar të gjitha protokollet. Për ata nxënës që deklarohen për mësim online, diçka e tillë do t’u mundësohet. Për nxënësit nga klasa e 4-të deri në të 9-tën mësimi do të realizohet online – tha Luljeta Qerimi, drejtoresh SH.F “ Hasan Prishtina”.

Nuk kemi kushte që diçka të tillë t’ua ofrojmë edhe nxënësve nga klasa e 4-të deri në të 9-tën, sepse kemi numër të lartë të nxënësve në shkollën tonë, përkatësisht 1530. Numër i lartë nxënësish është edhe nga klasa e parë deri në të tretën, të cilët do të ndahen në dy grupe, dhe klasat me numër të lartë nxënësish gjithashtu duhet të ndahen, andaj s’ka hapësirë që në shkollë të vijnë fizikisht edhe nxënësit tjerë – tha Burbuqe Ymeri- SH.F Ismail Qemali.

Në shkollën tonë nuk ka kushte për realizim të mësimit me prani fizike për nxënësit nga klasa e katërt e deri në të 9-tën. Ne tre ditë më parë patëm konsultim me këshillin e shkollës nga ku u arritëm në përfundimin, bashkë me kolektivin, që nga klasat e 4-ta deri në të 9-tën mësimi të realizohet online. Në shkollën tonë kemi 806 nxënës, ndërsa klasat kanë nga 27-30 nxënës – u shpreh Erkan Murseli- zv.drejtor Sh.f Zhivko Brajkovski.

Viti shkollorë 2020/2021 do të nisë më 1 tetor. Vendimi për këtë shtyrje sipas ministrit të Shëndetësisë, u mor për t’i lënë hapësirë shqyrtimit të situatës epidemiologjike, pas rikthimit të qytetarëve nga pushimet, nëpër vendet e punës.

Baby Boo