FFM: Shkupi do të përballet me masa disiplinore


Super derbi i elitës vendore Shkupi-Shkëndija(1:1), përveç futbollit të bukur e shumë luftarak, solli edhe episode të palakmueshme nga tribunat, kur në më shumë raste në terren u hodhën gjësende të forta në drejtim të futbollistëve mysafirë, ndërsa kishte momente kur në fushë u gjetën persona të paautorizuar. Kjo do të hap punë për Komisionin e Disiplinës pranë FFM-së, që pas grumbullimit të materialeve pritet të dalë me masa ndëshkuese për FC Shkupin.

“Rekomandimet për organizim dhe zhvillim të një ndeshje në Ligën e Parë janë të qarta dhe çdo lëshim ndëshkohet sipas rregullores. Në rastin konkret procedura është si vijon. Fillimisht delegati i ndeshjes duhet të dorëzojë raportin e tij në Komisionin për Gara. Ky i fundit në bazë të shënimeve në raport dhe lëshimeve të bëra në organizim, kalon lëndën në Komisionin për Disiplinë. Aty grumbullohen gjitha materialet, faktet e dëshmitë nga gjithë palët e involvuara dhe më pas konform rregullores merren masat ndëshkuese për ata që kanë vepruar në kundërshtim me rregullat dhe predispozitat e kërkuara”, shprehen nga Federata e futbollit të Maqedonisë.

Gjithsesi, duke parë ndodhitë në ndeshjen Shkupi-Shkëndija dhe në pritje të vendimit të Komisionit të Disiplinës, ajo që duket e sigurtë është se FC Shkupin e presin masa ndëshkuese. Duke nisur nga ajo që duket e pashmangshme në këtë moment, “Gjobë në të holla” e deri te zhvillimi i ndeshjeve pa prani të publikut janë ndëshkimet eventuale me të cilat mund të përballet FC Shkupi.

Baby Boo