“Fëmija i tretë” skadon në fund të vitit, nga 2020 përfitojnë vetëm familjet e rrezikuara sociale


Partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI janë marrë vesh për shtesën e paketës sociale të njohur si “fëmija i tretë”. Deputeti i BDI-së sqaroi se kush do të përfitojë e kush jo në të ardhmen nga kjo shtesë.

“Sa i përket fëmijës së tretë të gjithë ata që deri në fund të këtij viti marrin shtesën për fëmijën e tretë do vijojnë ta marrin gjatë gjithë 10 viteve të ardhshme. Gjithashtu gjithë ata fëmijë që do të lindin gjatë këtij viti do ta marrin në të njëjtën formë që është marrë deri më tani, kurse prej vitit të ardhshëm e tutje, shtesën për fëmijën e tretë do ta marrin vetëm kategoritë më të varfra të shoqërisë sonë, kategoritë sociale që arrijnë deri tek rroga minimale në të ardhurat e tyre familjare të prindërve të fëmijës që do të lind”, deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

I pyetur se kur ky ligj mund të miratohet, Grubi tha se shpreson që shumë shpejt, ndoshta në seancën e radhës. Këtë shpresë ka edhe Kryeministri Zaev, për ligjet sociale që pritet më 25 mars të futen në seancë kuvendore.

“Shpresoj se do të kalojnë shpejt, nëse mund të kalojnë dhe të publikohen deri në fund të muajit, qytetarët do të mund që në mars, fillim të prillit, ta marrin asistencën e rritur sociale, si për fëmijën e tretë, edhe ndihmat sociale të rritura për 300%, edhe pensionin social shtetëror që jepet si e ardhur sociale. Të gjitha këto janë për të mirën e shtetit, paratë në buxhet i kemi, këtë vit janë lënë plus 2 miliard e 200 mijë, por në fillim duhet parë nëse Kuvendi do ta votojë deri në fund të marsit, që të mund mes 01 dhe 05-tit të paguhet dhe e dyta, nëse do ta nënshkruaj Presidenti Ivanov”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Përveç për “fëmijën e tretë”, partnerët qeverisës janë dakorduar edhe për pensionin për personat mbi 65 vjeç që s’kanë asnjë ditë punë të regjistruar. Është hequr kushti “një ditë përvojë pune”, kufizim që sipas Grubit, përjashtonte shumë shqiptarë nga ky pension.

Baby Boo