Familjet kosovare në Siri presin edhe një Ramazan nën rrënojat e luftës dhe terrorit


Tashmë muaji i bekuar i Ramazanit është afruar dhe po troket në dyert e besimtarëve mysliman, të cilët me dashamirësi e presin këtë mysafir të dashur. Parapregatitjet tashmë janë bërë kurse atmosfera festive mbretëron ngado. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhë edhe me familjet kosovare në Siri. Këto familje tanimë ka disa vite radhazi që muajin e bekuar të Ramazanit nuk e presin në Kosovë, e as me familjarët tyre. Gratë kosovare të xhihadistëve të vrarë dhe fëmijët e tyre bonjak, edhe këtë Ramazan do ta presin nën rrënojat e luftës dhe terrorit. Shkatërrime këto për të cilat përgjegjës janë edhe kryefamiljarët e tyre, ata që lanë Kosovën për ISIS-in.

Familjet kosovare në vend se të ishin duke e pritur të gëzuar Ramazanin së bashku me familjarët e tyre, ato gjenden në Siri mes pluhurit dhe rërës shkretinore që i rrethon ngado. Gratë e xhihadistëve dhe fëmijët e pafajshëm janë duke vuajtur dhe po i paguajnë shtrenjtë gabimet dhe mendjelehtësinë e atyre që mendonin se me shkatërrimin e jetëve të njerëzve dhe familjeve të tyre, po lartësonin fjalën e Zotit. Si mund të jetë që në një vend dhe në një shoqëri që pretendon se po lufton kinse për të ngritur islamin, muaji i Ramazanit të mos ketë asnjë vlerë?!

Kjo tregon se xhelatët nuk njohin dhe nuk duan t’ia dijnë për mëshirën, që sidomos kjo periudhë kohore e muajit të Ramazanit shquhet për bamirësi, paqë e mëshirë. Cdo parim islam duke u shkelur dhe nëpërkëmbur kurse ende dëgjojmë thirrje se po lartësohet fjala e Zotit. Eshtë e dhimbshme kur mendojmë se fëmijët kosovar po rriten duke kujtuar se ideologjia ekstremiste është islami. Eshtë e dhimbshme kur kujtojmë se fëmijët kosovar nuk njohin ngrohtësinë familjare me të cilën karakterizohet Ramazani. Në vend se të prisnin me gëzim festën e Bajramit, në fytyrat e tyre të pluhrosura ka vetë dëshpërim, shkaktar i të cilit janë vetë baballarët e tyre. Në këtë muaj të mëshirës lutemi për mirëqenien e këtyre fëmijëve, dhe shpresojmë që familjet kosovare të mos kenë më përjetime të këtilla.

Ata që propaganduan ekstremizmin dhe thirrën të shkohet e të luftohet në Siri, sot me familjet e tyre janë të rrethuar nga luksi, kurse fëmijët e pafajshëm nuk e kanë të sigurtë as kafshatën e gojës. Kësaj ne i jemi frikësuar dhe për këtë kemi tërhequr vërejtjen, por shpresojmë që drejtësia do të ngadhnjejë. Tashmë grupet vehabisto-ekstremiste janë demaskuar shumë dhe kemi parë se të tillët nuk dertin e islamit, e as të besimtarëve mysliman. Ekstremistët janë oportunist nga lloji më i ligë, të cilët përmes fatkeqësisë së familjeve kosovare u pasuruan dhe shtuan vuajtjet dhe mjerimin në këtë botë. Shkaku i tyre sot familjet nga Kosova në vend se ta prisnin muajin e bekuar të Ramazanit në tryezat familjare, ata e presin këtë muaj nën rrënojat e luftës dhe terrorit, në shkretëtirat arabe dhe në pamëshirën e terroristëve që thirren në islam, por që veprat e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë, në fakt janë kundër saj. /foltash/

Baby Boo