Familja e Liridonës paralajmëron gjakmarrje


Familja e Liridona Ademajt vrasja e së cilës u porosit nga bashkëshorti i saj, kërkon zhvarrosjen e trupit dhe eshtrat e saj të prehen në fshatin e saj të lindjes. Vëllai i 33-vjeçares ka shkruar në rrjetet sociale se i ka dhënë familjes me të cilën kishin krushqi dy ditë besë dhe autoritetet i druhen një hakmarrjeje të mundshme.

Policia e Kosovës njoftoi se ka sekuestruar armën me të cilën u qëllua për vdekje Ademaj si dhe 19 fishekë ndërsa është sekuestruar edhe makina e porositësit të krimit Naim Murseli.

Ky i fundit ka pranuar që të ketë urdhëruar ai vrasjen e bashkëshortes ndërsa autorësinë e ka pranuar edhe Granit Plava i cili po ashtu u arrestua të premten. Plava ka thënë në dëshminë e tij se është paguar nga Murseli 15 mijë Euro paradhënie ndërsa 15 mijë Euro të tjera do t’i merrte pas kryerjes së krimit.

Veç tyre si i përfshirë në ngjarje u prangos edhe Kushtrim Kokalla. Ky i fundit është nip i Naim Murselit dhe anëtar i FSK. Pas këtij rasti ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonsi njoftoi nisjen e hetimeve ndërsa vëllai i Kokallës tha për mediat kosovare se e gjithë familja e tij është e tronditur për atë që ka ndodhur.

Për të tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit me afat 30 ditë. Policia dyshoi se ngjarja nuk ishte grabitje pas dëshmisë së bashkëshortit të gruas gruas Naim Murseliot. Ky i fundit ishte kontradiktor në dëshmi ndërsa deklarime para policisë dhanë edhe dy fëmijët e tij të mitur të cilët thanë se babai ishte i qetë pas ngjarjes dhe se u kishte thënë se gjithcka ishte një lojë. Policia e lejoi Murselin që t’i merrte pjesë edhe në ceremoninë mortore të 33-vjeçares për të parë reagimet e tij dhe më pas i vendosën prangat.

Çifti jetonin në Suedi ndërsa ishin në proces divorci. Procedurat kishin nisur që në vitin 2019 por çështja ishte pezulluar në Shkurt të vitit 2020. 33-vjeçarja u qëllua në prani të burrit dhe fëmijëve të mitur mbrëmjen e 29 Nëntorit në periferi të Prishtinës. Autori i ngjarjes që u raportua si grabitje i mori sende me vlerë dhe telefona.

Baby Boo